Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka takuar të mërkurën ish-kryeministrat, Branko Cërvenkovski, Lubço Georgievski, Hari Kostov dhe Vllado Buçkovski. Takimi, i cili u mbajt me rastin e festimit të 20-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, ishte me karakter protokollar dhe simbolik, me qëllim të dërgimit të mesazhit dhe apelit për bashkim të kombit për këtë festë të rëndësishme shtetërore, si dhe bashkim rreth interesave dhe prioriteteve të larta shtetërore.

 


Gruevski ka informuar ish-kryeministrat, për gjendjet aktuale, reformat dhe aktivitetet për modernizim të vendit, duke u përqendruar në prioritetet strategjike në punën e Qeverisë aktuale, ekonominë, integrimet evropiane dhe euro-atlantike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, arsimit dhe bashkëjetesën multietnike. Gruevski, ka riafirmuar ftesën tek të gjithë të pranishmit që të jenë pjesë e festimit, për shënim të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, e cila organizohet në Shkup, duke përkujtuar se kjo është festë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

 


Ndërkohë, pas takimit me kryeministrin Gruevski, ish kryeministri Branko Cërvenkovski ka përsëritur qëndrimin se LSDM do të bojkotojë festën e ditës së enjte në sheshin e Shkupit.