E ftuar në emisionin Open me Eni Vasilin në Top Channel, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u dha të drejtë studentëve për protestën e tyre, pak orë pasi u detyrua që të shfuqizonte VKM-në që i tarifonte ata për provimet e mbartura.


Kanë të drejtë studentët, kanë gjithmonë të drejtë dhe meritojnë që të dëgjohen, u shpreh ministrja.


Që të jem e drejtpërdrejtë si dhe e sinqertë. Ka qenë një shqetësim në aspektin personal. Nga ana tjetër është një moment shumë i mirë në kuptimin e plotë të fjalës që arritëm në një moment që studentët të reflektojnë nëpërmjet një komunikimi serioz dhe është një moment i ri për të modernizuar institucionet e Arsimit të Lartë. Zëri i studentëve duhet të dëgjohet. Kam dëgjuar kërkesat e tyre që kanë evoluar. Ditën e parë kishin dy dhe ditën e dytë u bënë katër. Unë kam kërkuar të takohem me ta edhe në zyrën time ose në auditore. Gjenerata më e vyer që ky vend ka nuk meriton të bënim një komunikim në rrugë dhe nuk u pa e arsyeshme. Ata kërkuan që të dilja në shesh që të komunikonim. Kanë të drejtë studentët, kanë gjithmonë të drejtë dhe meritojnë që të dëgjohen, tha Nikolla.


Por pavarësisht mbështetjes për studentët, përgjigja e ministres ishte e habitshme kur shpjegoi arsyet për vendosjen e tarifës që revoltoi studentët dhe i nxori në shesh.


Shumë studentë mbartnin provimet dhe futeshin deri në 10 herë si një parim për të demotivuar edhe mbartjen e lëndëve vit pas viti. Po thuhet se studenti që mbart provimin  do të paguajë kreditin. Nuk është këtu çështja. Ky ishte një parim për të qenë krah familjeve shqiptare, që koha që i dedikohet studimit të jetë optimale. Nuk ka VKM me veti prapavepruese. Efektet do nisnin pas një viti. Ky penalitet ishte për sjelljen neglizhente të studentëve, deklaroi ministrja e Arsimit.


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)