Liriku dhe njeriu që e shfrynte “indoktrinimin” sipas muzikës. Nikolla Zoraqi sot kujtohet në ditën e lindjes, si notë e njohur e baletit “Cuca e maleve”, nën libretin e Loni Papës. Por, pavarësisht titujve dedikues nga diktatura, si artist i popullit, Zoraqi njeh frymën lirike, ndjeshmërinë si rrallë artist tjetër që iu desh të ngacmonte shqisën e talentit, pa Partinë. Ai është një nga kompozitorët, krijimtaria e të cilit është ekzekutuar më shumë në skenë.


Për paradoks, kujtesa e muzikës si “Cuca e maleve”, “Komisari”, apo “Shote Galica” më shumë i takojnë frymës kombëtare të kompozimit, me të cilën krijuesi donte të lidhte fatin e tij muzikor, por dhe të zgjonte këtë ndërgjegje tek të tjerët. Ndërsa së brendshmi, Nikolla Zoraqi kujtohet sot nga kolegët si frymë gëzimi, përmes uverturave festive e plot ndjeshmëri. Krijuesi i muzikës së “fshehtë” për disa vite ka qenë në krye të drejtimit muzikor në RTSH, ku për dhjetë vjet shënohet se ka drejtuar veprimtaritë më të suksesshme të orkestrës simfonike dhe festivaleve të këngës, që nga edicioni i parë deri tek Festivali i 11-të, si drejtues artistik i tij.


“Veprat e N. Zoraqit janë ndër më të ekzekutuarat në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit. Uverturë festive është vepra që ka qarkulluar në të gjitha turnetë e orkestrave shqiptare në shumë shtete të Evropës, e pritur me ovacione dhe e drejtuar nga dirigjentë të shumtë shqiptarë dhe të huaj. Humbja e parakohshme e N. Zoraqit mbetet një kontrast tragjik mes suksesit të veprës dhe shumë momenteve të vështira të jetës, veprës krijuese mbi ndeshjet dramatike të fatit dhe kohës”, - thotë Zhani Ciko, drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, duke i bërë homazh kolegut të tij në këtë përvjetor.


Zoraqi u lind në Tiranë më 24 janar 1929 dhe vdiq në Tiranë më 9 shtator të vitit 1991. Edukimin e parë muzikor e mori në familje dhe me U. Rampi, nga i cili mori mësime violine, por në vitet 1946-1950 kreu Liceun Artistik “J. Misja” në Tiranë. Pas kësaj punoi pranë kësaj shkolle si pedagog për pak kohë. Në mesin e viti 1950 kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore, si violinist dhe së fundi si asistent dirigjent i orkestrës, që drejtohej nga G. Avrazi, ku punoi deri në vitin 1958. Në këtë kohë datojnë edhe krijimet e tij të para. Në vitin 1958 filloi studimet në Moskë në Konservatorin P. I. Tchajkowsky, në klasën e J. Shapori, por u kthye në vitin 1961 pa i mbaruar dot. Ndërsa muzikanti Mustafa Krantja thotë se “krijimtaria e tij thellësisht e apasionuar pothuajse në të gjitha gjinitë muzikore është një kontribut sa i madh aq edhe me vlerë në drejtim të përmbajtjes dhe të nivelit të lartë artistik për artin tonë kombëtar. Madhështia, monumentalizmi, lirika e thellë plot pathos, dramatika e ngjeshur, mesazhi në dimensione të gjera i veprave të tij e fryma thellësisht kombëtare përbëjnë disa nga tiparet me karakteristikë të përmbajtjes së veprave të tij dhe të individualitetit të tij krijues”.


Në vitet ’61-’64, Krantja punoi si zyrtar pranë Ministrisë së Kulturës si inspektor në sektorin e muzikës, më pas pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore dhe në vitet 1966-1971 ai gjendet si shef i redaksisë së muzikës në radio “Tirana”.


Ndërsa kulmi i liberalizmit në Shqipëri, viti ’71, e gjeti muzikantit në profesion të lirë si krijues që zgjati deri në fund të jetës së tij. Krahas detyrave të tjera, deri në vitin 1983 Zoraqi ka dhënë dhe mësim pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, në fillim harmoni dhe analizë dhe më pas kompozicion. “Nikolla Zoraqi ishte nga ata kompozitorë që vlerësoi dhe diti ta shfrytëzojë në maksimum kohën për punën krijuese. Ai kishte një frymëzim të pashterur që buronte dhe stimulohej nga puna e pandërprerë. Zoraqi, me krijimtarinë e tij muzikore, dha një kontribut të madh në zhvillimin dhe përhapjen e muzikës sonë të re, një kompozitor me një diapazon të gjerë krijues; provoi pothuajse të gjitha gjinitë muzikore që nga kënga tek opera, nga miniaturë instrumentale tek koncerti, baleti e simfonia”, - shprehet Albert Paparisto. Gjithë portreti i Zoraqit lidhet me figurat muzikore, pasurinë e tyre arkivore, duke arritur deri në përpunimin e aspekteve të ndryshme të tablosë së muzikës sonë kombëtare. Me këtë e lidh Paparisto edhe muzikën impenjative të Zoraqit për problemin e madh të krijimit të një muzike me karakter të theksuar kombëtar, si dhe në krijimin e karaktereve shqiptare e të figurave të rëndësishme kombëtare. “Kjo ishte një detyrë e madhe patriotike për muzikën tonë. Nikolla e konsideronte këtë çështje si një nga idealet e tij krijuese të nisur nga paraardhësit, si një nevojë të domosdoshme për të plotësuar mungesën e asaj tradite, që vendet e tjera e kishin arritur shekuj më parë. Në këtë drejtim ai pati realizime të shkëlqyera si “Cuca e maleve”, “Komisari” e “Shote Galica””.


Zoraqi vlerësohet si një kompozitor tepër prodhimtar, duke krijuar vepra në të gjitha gjinitë muzikore dhe veprat e tij janë luajtur në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si në “Koncertet e majit”, në festivalet dhe konkurset e ndryshme etj., dhe janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Veprat e tij janë luajtur nga formacione të rëndësishme të muzikës shqiptare, nga orkestra e TOB, orkestra e RTSH, orkestra e Akademisë së Arteve, orkestra e Liceut Artistik, nga trupat e ndryshme korale dhe instrumentale profesioniste apo amatore, si dhe janë luajtur dhe në vende të tjera me orkestrat apo muzikantët shqiptarë, në Greqi, Turqi etj.


“E njoha Nikollën si bashkënxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitet 1946-1950 si një muzikant tejet i talentuar, i mençur, herë i heshtur dhe nganjëherë rebel, i cili shpejt nisi të hedhë grimcat e para në kristalizimin e mëtejshëm personalitetit të vet artistik, që u dukën më pas tek ai shumë të qarta si kompozitor. Pas përfundimit të studimeve në B. Sovjetik për kompozicion hyri në arenën tonë artistike me vizione të bukura, të qarta, me tinguj dhe nota muzikore joshëse, me vepra në të cilat vlonte pulsi i kohës dhe i njerëzve tanë që aspironin të zhgënjyer nga diktatura enveriste për ditë më të bukura, për një vend demokratik, për një muzikë që të ishte e të gjithëve, që do të militonte për interesat estetike dhe morale të të gjithëve”, - kujton dirigjenti Rifat Teqja.


Ndërsa Feim Ibrahimi do ta konsideronte këtë artist me këtë thënie: “Opusi i tij është i madh. Ai shkroi në të gjitha gjinitë muzikore, duke filluar që nga kënga, romanca, pjesët instrumentale, deri tek baleti, opera dhe simfonia. Ai la pas vepra që për nga forca e mendimit dhe vlerave artistike do të mbeten në fondin e artë të kulturës shqiptare”. Për aktivitetin e tij, Zoraqi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë, ndër të cilët përmendim çmimin e “Republikës” për baletin “Cuca e maleve”, titullin Artist i Merituar dhe titullin Artist i Popullit.


V.M








Zhani Ciko: Zoraqi, kompozitori më i ekzekutuar





N. Zoraqi, 1928-1991, është një ndër kompozitorët më të shquar shqiptar me krijimtari, e cila është përfaqësuese për muzikën e kultivuar kombëtare. Autor i veprave të të gjitha gjinive që nga kënga e thjeshtë, muzika e dhomës, tek ajo simfonike e deri tek opera dhe baleti, mbetet kompozitori me katalogun më të pasur të krijimtarisë. Muzikë sa origjinale aq edhe e frymëzuar dhe me identitet kombëtar të theksuar, ku nuk mungojnë referencat sidomos nga folku i Tiranës, qytet të cilit N. Zoraqi i përket si nga origjina dhe veprimtaria. Drejtues i disa institucioneve artistike në veçanti drejtimi muzikor në RTSH, ku për dhjetë vjet ka drejtuar veprimtaritë me të suksesshme të orkestrës simfonike dhe festivaleve të këngës që nga edicionet e para deri tek Festivali i 11-të, që gjithashtu është drejtuar artistikisht prej tij. Veprat e N. Zoraqit janë ndër më të ekzekutuarat në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit. Uverturë festive është vepra që ka qarkulluar në të gjitha turnetë e orkestrave shqiptare në shumë shtete të Evropës e pritur me ovacione dhe e drejtuar nga dirigjente të shumtë shqiptarë dhe të huaj. Humbja e parakohshme e N. Zoraqit mbetet një kontrast tragjik mes suksesit të veprës dhe shumë momenteve të vështira të jetës, veprës krijuese mbi ndeshjet dramatike të fatit dhe kohës.





Veprat – muzikë skenike





Vepra para studimeve


Lufta jonë me kohën, skenë dramatike, 1954; Përtacët, operetë për fëmijë, libreti K. Jakova, 1956; Ushtari dhe vdekja, skenë koreografike, 1959; Fundi i Golemëve, opera, libreti K. Jakova, sipas Dh. Shuteriqi, 1967





Vepër e pashfaqur


Vjollca e Skënderbeut, opera, libreti LL. Siliqi, 1966





Vepra të shfaqura të kritikuara dhe të ndaluara


Ritme dhe ndjenja punëtore, balet, kor. A. Aliaj, 1970; Historia e një këngë, Rapsodi koreografike, libreti dhe kor. A. Aliaj, 1971





Vepra të tjera


Cuca e Maleve, balet, libreti L. Papa, kor. A. Aliaj 1970; Komisari, opera, libreti D. Agolli, 1975; Tokë e pamposhtur, balet, libreti I. Kadare kor. A. Aliaj, 1977; Shote e Azem Galica, balet, libreti A. Agolli, kor. P. Kanaçi; Joniada, balet, libret A. Kondo, kor. P. Kanaçi, 1984; Karikaturat, operetë për fëmijë, libreti A. Mamaqi, 1986-1987; Paja, opera komike, libreti S. Mato, sipas G. Schiro di Maggio, 1989.





Vepra instrumentale


Poemë për violinë dhe ork, 1963; Koncert për violinë nr. 1, 1964; Rapsodi nr. 1, për piano dhe orkestër, 1967; Koncert për violinë nr. 2, 1968; Koncert për violinë nr. 3, 1971; Romancë për flaut e ork. 1973; Koncert për violinë nr. 4, 1978; Kënga e heroit, për violinë dhe ork. 1978; Kaba nr. 2 për violine dhe ork. 1979; Përshtypje nga Festivali Folklorik i Gjirokastrës, koncert për piano, ork, 1979; Na buzëqeshin agimet, “scherzo” për flaut dhe ork. 1980; Kaba nr. 3, për violinë dhe ork, 1982; Rapsodi nr. 2 për piano dhe ork. 1984; Koncert për violinë nr.5; (Koncertino) për violine nr. 6 1989-1990.





Vepra simfonike


Suitë baleti, 1966; Uvertura nr. 1, në fa minor, 1967; Uvertura festive nr. 2, në do maxhor, 1968; Uvertura nr. 3, 1969; Suite për fëmijë nr. 1, 1970; Cuca e Maleve, suitë nga baleti, 1971; Rini heroike, 1974; Tirana në festë, suitë simfonike, 1975; Kaba nr. 1, 1978; Uvertura nr. 4, 1979; Suitë për fëmijë nr. 2, 1980; Vallja e jetës sonë, 1980; Vizitë në Muzeun e Armëve, suitë simfonike, 1981; Valle festive 1982; Simfonia për orkestër të madhe simfonike.