>Një prej emrave më të shquar të artit shqiptar është dhe kompozitori Nikolla Zoraqi. Ai ka qenë një kompozitor shumë prodhimtar. Ai ka kompozuar vepra në të gjitha gjinitë muzikore dhe veprat e tij janë luajtur në të gjitha aktivitetet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare; në Koncertet e Majit, në festivalet dhe konkurset e ndryshme etj, dhe janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Veprat e tij janë luajtur nga formacione të rëndësishme të muzikës shqiptare, nga orkestra e TOB, orkestra e RTSH, orkestra e Akademisë së Arteve, orkestra e Liceut Artistik, nga trupat e ndryshme korale dhe instrumentale profesioniste apo amatore si dhe janë luajtur dhe në vende të tjera me orkestrat apo muzikantët shqiptare, në Greqi, Turqi etj.

Për aktivitetin e tij Nikolla Zoraqi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë, ndër të cilët përmendim çmimin e Republikës për baletin Cuca e Maleve, titullin Artist i Merituar dhe titullin Artist i Popullit. Mustafa Krantja e vlerëson kompozitorin: Ishte dhe do të mbetet një figurë e shquar për artin tonë kombëtar muzikor. Kontributi i tij i shquar do të mbetet një shembull i larte për ne të gjithë dhe për brezat që do të vijnë. Krijimtaria e tij thellësisht e apasionuar pothuajse në të gjitha gjinitë muzikore është një kontribut sa i madh, aq edhe me vlerë në drejtim të përmbajtjes dhe të nivelit të lartë artistik për artin tonë kombëtar. Madhështia, monumentalizmi, lirika e thellë plot pathos, dramatika e ngjeshur, mesazhi në dimensione të gjera i veprave të tij e fryma thellësisht kombëtare përbëjnë disa nga tiparet më karakteristike të përmbajtjes së veprave të tij dhe të individualitetit të tij krijues. Prof. Zhani Ciko shprehet: Nikolla Zoraq është një ndër kompozitorët më të shquar shqiptar me krijimtari, e cila është përfaqësuese për muzikën e kultivuar kombëtare. Autor i veprave të të gjitha gjinive, që nga kënga e thjeshtë, muzika e dhomës, te ajo simfonike e deri tek opera dhe baleti, mbetet kompozitori me katalogun më të pasur të krijimtarisë. Muzike sa origjinale aq edhe e frymëzuar dhe me identitet kombëtar të theksuar ku nuk mungojnë referencat sidomos nga folku i Tiranës, qytet të cilit Zoraqi i përket si nga origjina dhe veprimtaria. Drejtues i disa institucioneve artistike në veçanti drejtimi muzikor në RTSH, ku për dhjetë vjet ka drejtuar veprimtaritë më të suksesshme të orkestrës simfonike dhe festivaleve të këngës që nga edicionet e para deri tek Festivali i 11, që gjithashtu është drejtuar artistikisht prej tij. Veprat e Nikolla Zoraqit janë ndër më të ekzekutuarat në Shqipëri por edhe jashtë shtetit. Kompozitor shqiptar. U lind në Tiranë në 24 janar 1929 dhe vdiq në Tiranë me 9 shtator të vitit 1991. Edukimin e parë muzikor e mori në familje dhe më U. Rampi nga i cili mori mësime violine, por në vitet 1946-1950 kreu Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë. Pas kësaj punoi pranë kësaj shkolle si pedagog për pak kohë. Në mesin e viti 1950 kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore, si violinist dhe së fundi si asistent dirigjent i orkestrës, që drejtohej nga G. Avrazi, ku punon deri në vitin 1958. Në këtë kohë datojnë edhe krijimet e tij të para. Në vitin 1958 filloi studimet në Moskë në Konservatorin P. I. Tchajkowsky, në klasën e J. Shapori, por u kthye në vitin 1961 pa i mbaruar dot. Ne Shqipëri punoi pranë Ministrisë së Kulturës si inspektor në sektorin e muzikës ( 1961-1964), më pas pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore (1964-1966) dhe në vitet 1966-1971 punoi si shef i redaksisë së muzikës në Radio Tirana. Në vitin 1971 del në profesion të lirë si krijues deri në fund të jetës se tij. Krahas detyrave të tjera, deri në vitin 1983 Nikolla Zoraqi ka dhënë dhe mësim pranë Institutit të Lartë të Arteve ( sot Akademia e Arteve) në Tirane, në fillim harmoni dhe analize dhe më pas kompozicion. Disa vepra para studimeve: Lufta jonë me kohën, skenë dramatike, 1954; Përtacët, operete për fëmijë, libreti K. Jakova, 1956; Ushtari dhe vdekja skenë koreografike, 1959; Fundi i Golemëve, opera, libreti K. Jakova, sipas Dh. Shuteriqi, 1967. Të tjera Cuca e Maleve, balet, libreti L. Papa, koreograf Agron Aliaj 1970; Komisari, opera, libreti Dritero Agolli, 1975; Toke e pamposhtur, balet, libreti Ismail Kadare, Shote e Azem Galica, etj.