Fatjon Xhebrahimi tregon se të afërmit i gjeti të gjakosur, ndërsa xhaxhai dhe kushëriri kishin vdekur në vend





TIRANE- Fajton Xhebrahimi, një nga nipërit e Xhevdet Xhebrahimit, një nga të vrarët e ngjarjes së djeshme, është një nga dëshmitarët e ngjarjes së djeshme, i cili rrëfen momentet e shpërthimit, si dhe përpjekjet e tij për të ndihmuar xhaxhain e tij, nusen e xhaxhait dhe kushërinjtë e tij, Altinin dhe Shpresën.





Ai pohon se në vitin 1997, xhaxhai u detyrua të vriste një person në derë të shtëpisë, në kushtet e vetëmbrojtjes. Më tej shton se gjithçka kishte ndodhur në pak sekonda kur ai sapo kishte hyrë në shtëpi për të pushuar dhe pikërisht në atë moment dëgjoi shpërthimin e fortë që i përçoi një rrënqethje në trup dhe frikë në shpirt.





Fatjoni, pranoi të tregonte dje për "Shekullin" momentet e vështira pas ngjarjes, kur pa xhaxhain të pa jetë dhe kushërirën e tij e cila kishte qenë në gjumë dhe e kishte zënë rafti i rrobave i shembur nga shpërthimi.





Fatjon çfarë ndodhi në momentin e shpërthimit ?





Unë isha jashtë, sapo parkova makinën time në rrugë dhe u futa menjëherë në shtëpi, sepse edhe ne ashtu si xhaxhai dhe familja e tij kemi qenë në dasmë. Sapo erdha nuk ndenja as pak sekonda kur dëgjova një shpërthim të fortë që të bënte veshët të buçisnin. Shtëpia dhe toka u drodh.





Nuk e kuptova ç'po ndodhte dhe menjëherë dola jashtë. Pashë gërmadha dhe tym që vinte nga shtëpia e xhaxhait. Njerëzit rënkonin dhe nuk po dija si të veproja në momentin e parë. Menjehërë më pas u nisa të futem në shtëpinë e xhaxhait këtu përballë.





Gjithçka ishte gërmadhë dhe s' kishe nga të hyje. Arrita të futem dhe pashë një pjesë të trupit të xhaxhait, më tej ishte trupi i Luanit. Nuk dija ç'të bëja, por për fat erdhën për ndihmë edhe njerëz të tjerë që nisën të gërmonin për të nxjerrë trupat.





U ngjita lart, pashë që Altini ishte i plagosur por po rrinte në këmbë. U drejtova nga dhoma ku dëgjoja zërin e Shpresës, pashë që e kishte zënë rafti i rrobave dhe kishte një gërmadhë betoni tullash dhe tavani mbi të. Munda ta nxjerr dhe bashkë me kushërinjtë ulëm poshtë edhe nusen e xhahxhait. Altini zbriti vetë sepse për momentin nuk ndiente dhimbje sepse ishte i nxehtë.





Xhevdeti dhe Luani kishin vdekur në vend ?





Po po as që diskutohet. Nuk kishin pasur asnjë mundësi për të shpëtuar. Luani kishte qenë në valën goditëse, përballë ekranit të televizorit, kurse Detin (siç e thërrisnin Xhevdetin) e kishin zënë poshtë tullat dhe soleta dhe dyshemeja e katit të parë. Ne u munduam të gërmonim, për t'i nxjerrë, por erdhi policia dhe zjarrfikësit dhe nuk na lanë të gërmonim më dhe na larguan.





Luanit më duket se i ishin prerë dy këmbët ndërsa në fytyrë ishte i djegur totalisht nga shpërthimi dhe vala. Xhaxhai ishte dëmtuar thuajse në të gjithë trupin, por ne nuk mundëm të shihnim shumë, pasi ata i mblodhën me barrela dhe i futën në ambulancë për në morg.





A keni ndonjë dyshim për ngjarjen ?





Jo nuk di sepse unë nuk kam dëgjuar që ata të jenë konfliktuar me njeri kohët e fundit, por në vitin 1997, këtu përpara derës së shtëpisë, xhaxhai mbaj mend se vrau një person në kushtet e vetëmbrojtes. Nuk e di nëse ngjarja mund të ketë ndodhur për këtë shkak apo jo.





Mjeku: Më e rëndë gjendja e djalit të familjes





Të tre të plagosurit e familjes Xhebrahimi që mundën të mbijetonin, nga shpërthimi i paradites së djeshme, menjëherë pas ngjarjes u dërguan në spitalin civil nr.2, në pavionin e djegieve, ku iu janë nënshtruar kujdesit të mjekëve për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore që fillimisht ishte paraqitur e rëndë.



Pas marrjes së ndihmës së parë, Fatbardha Xhebrahimi, dhë fëmijët e saj, Altin e Shpresa Xhebrahimi, kanë mundur të kalojnë rrezikun për jetën.





Sipas mjekut Sokol Isaraj, më rëndë paraqitej gjendja shëndetësore e Altin Xhebrahimit, i cili sipas tyre kishte marrë dëmtime në sy dhe djegie. Po kështu sipas tyre edhe nëna e tij, Fatbardha kishte marrë plagë, por gjendja e saj kishte kaluar rrezikun për jetën, duke bërë që ajo të qëndronte në pavion vetëm për t'u pasur nën vëzhgimin e mjekëve.





Dëmtime serioze mori edhe vajza 28- vjeçare e familjes, Xhebrahimi, Shpresa. Pas mjekimit të parë të marrë për shkak të gërvishtjeve të shkaktuara në trup nga pesha e rëndë e një rafti rrobash, ajo kishte pasur probleme me frymëmarrjen, pasi nga shpërthimi ajo kishte thithur shumë pluhur nga gërmadhat e krijuara në shtëpinë e saj.





Menjëherë pas ndihmës së parë të marrë, ajo është çuar për ndihmë të specializuar për pastrimin e mushkërive. Për disa orë ajo i është nënshtruar ndërhyrjes së mjekëve me pajisjet përkatëse dhe me medikamentet përkatëse, deri sa ata kanë gjykuar se kishte përmirësim të pacientes.





Dje pasdite mësohet se ajo ishte kthtyer në banesë dhe se menjëherë më pas është marrë në pyetje nga oficerët e policisë së kryeqytetit dhe specialistët e hetimit të zyrës së vrasjeve.





Pasi ka dhënë versionin e saj mbi ngjarjen, Shpresa dhe pjesëtarët e tjerë të familjes janë strehuar në shtëpinë e xhaxhait të tyre aty pranë, ndërsa kanë nisur përgatitjet e tyre për ceremoninë e varrimit të babait që pritet të kryhet gjatë ditës së sotme.