Tirana Art Fest rikthehet për të tretin vit radhazi, duke synuar shtimin e jetës kulturore-artistike në kryeqytet, ku protagonistë janë të rinjtë. Në të gjitha gjimnazet e Tiranës (publike dhe jopublike), të rinj nga mosha 15 deri në 19 vjeç, do të performojnë në tre disiplina të ndryshme: muzikë, kërcim dhe multimedia, këtë herë me risi në secilën kategori konkurruese.







Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndoqi performancën e të rinjve të talentuar të tre gjimnazeve: Sinan Tafaj, Ismail Qemali dhe Abdulla Keta, ku vlerësoi se Tirana Art Fest është një mundësi shumë e mirë për të zbuluar talentet e reja dhe për të mbështetur të rinjtë. Secili prej nesh ka nevojë që të ketë një dorë në jetë, ku disa prej atyre që kanë fituar apo kanë marrë pjesë në Tirana Art Fest, tani kanë shkuar në një nivel më të lartë, sepse dikush i zbuloi kur ishin në gjimnaz. Unë shpresoj shumë që për ata që do të zbulohen si talente, të kemi mundësi që tju promovojmë që të shkoni më lart. Por edhe për ata që ndoshta do të kuptojnë që nuk janë të prerë për këtë punë, të kemi mundësi të eksplorojnë diçka tjetër, tha Veliaj, teksa siguroi se Bashkia e Tiranës do të jetë gjithnjë në krah të të rinjve të kryeqytetit dhe promovimin e tyre, së bashku me ekipin e trajnerëve të Tirana Art Fest, Bojken Lako, Mariza Ikonomi, Shpend Bengu, Gerd Vaso etj,.


Kreu i Bashkisë u shpreh se historitë e vërteta të suksesit në Shqipëri nuk janë ato që krijohen nga emri i familjes, por janë historitë e djemve dhe të vajzave të Tiranës, që me talentin dhe punën e tyre arrijnë të bëjnë realitet ëndrrat që dikush tjetër i konsideron të pamundura. Ne pamë para disa ditësh një histori suksesi të një djali të ri që vinte nga Shqipëria, quhej Ermal Meta. Historia e tij nuk ishte historia e dikujt që mami e babi ia kishin shtruar rrugën, as historia e dikujt që iu shtrua tapeti i kuq sa vajti në Itali, as historia e dikujt që iu hap dera sa herë trokiti. Përkundrazi, ishte historia tipike e një emigranti, e një djali të ri e të panjohur, pa lidhje partie, mbiemri, pa lidhje shoqërie, dhe pa të gjithë ato strukturat e tjera që ndoshta dikujt ia bëjnë disi më të lehtë jetën, e megjithatë ia doli që të fitonte Sanremo-n, u shpreh Veliaj.


Kryebashkiaku u kërkoi vajzave dhe djemve të talentuar, pjesë e këtij rrugëtimi artistik në gjimnazet e kryeqytetit që në përfundim të kësaj gare, të punojnë bashkërisht për një gjeneratë më të mirë. Nëse jeni më të mirët e brezit tani, do të jeni më të mirët edhe kur të jeni 30, 40, 50 vjeç. Kështu që, ata të cilët keni në krah në të majtë edhe në të djathtë apo që kanë ardhur nga një shkollë tjetër, mos i shihni si rivalë, jeni një skuadër. Skuadra e ardhshme e Tiranës. Kur të mbarojë tifozeria, kur të mbarojnë pikët, finalet, duhet të silleni si një skuadër. Kur çunat dhe gocat e Tiranës punojnë bashkë, mund të bëjmë mrekulli, kur pengojmë njëri-tjetrin siç kanë bërë gjenerata e baballarëve tanë, kur i vëmë stërkëmbësha njëri-tjetrit, kur xhelozohemi për njëri-tjetrin, humbasim kohë dhe shumë energji, nënvizoi ai.


Tirana Art Fest është kthyer tashmë në një traditë të bukur artistike duke synuar nxitjen, promovimin e talenteve të reja dhe inkurajimin e krijuesve të rinj të shkollave të mesme. Gjithashtu, ky projekt ndihmon në diversitetin social- kulturor, edukimin dhe argëtimin e të rinjve e po ashtu dhe për të kontribuar në luftën ndaj të gjithë fenomeneve sociale negative.


Një vit më parë morën pjesë 300 talente nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit, ndërkohë që shumë prej talenteve të Tirana ART Fest janë sot pjesë e tregut artistik, duke u renditur të parët në klasifikimet muzikore.


15 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)