Të mërkurën mbrëma, në Tiranë filloi festivali i muzikës jazz, Tirana Jazz and World Music Festival.

Sipas organizatorëve, në festival do të marrin pjesë grupe të njohura të jazzit nga vende të ndryshme të botës.

Ky është edicioni i parë i jazz-festivalit, ndërkohë që në Shqipëri nuk ekziston asnjë festival tjetër i tillë. Festivali është ideuar nga Besim Petrela. Sipas tij, vazhdimësia e këtij festivali do të sigurohet nëse ruhet një nivel i mirë i artistëve pjesëmarrës dhe nëse menaxhohen bashkëpunimet si duhet.

Ndryshe, në festivalin që do të zgjasë tri net, do të marrin pjesë tetë grupe, në mesin e të cilave edhe një grup nga Shqipëria (në përbërje të të cilit është edhe Riona Nishliu) dhe grupi Trio of Love (Tulant Mehmeti, Fatlind Ferati dhe Enes Bajrlamiq), që përfaqëson Kosovën.