Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, njoftoi nisjen e një aksioni në sektorin e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, për përmbushjen e standardeve të sigurisë ushqimore.


Në këtë kuadër Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka zhvilluar në Qarkun e Fierit, takime me fermerë dhe me përfaqësues të industrisë së përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, për të prezantuar reformën që pritet të fillojë me kontrollet për zbatimin e standardeve por edhe me një paketë masash mbështetëse për të korrigjuar hallkat më të dobëta të zinxhirit të sigurisë ushqimore.


Gjatë takimit me fermerët e qarkut Fier, Ministri Peleshi ka theksuar rëndësinë kombëtare që do të ketë kjo reformë në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, si kusht i domosdoshëm në arritjen dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore.


Do të disiplinojmë një produkt shumë të rëndësishëm, të përditshëm ushqimor, që është qumështi dhe nënproduktet e tij, në një kohë të shpejtë, duke kërkuar mbështetje dhe mirëkuptim nga të gjithë.-  Është shprehur ndër të tjera Ministri.


Duhet ta themi se, në qoftë se, ne dështojmë në punën tonë institucionale, pastaj dhe siguria ushqimore nuk do të jetë e garantuar. Kemi filluar një reformë të sigurisë ushqimore.


Dhimbja e këtyre lloj reformave bëhet shumë e vogël, në qoftë se, secili vepron, investon, mundohet që të arrijë standardin, që ligji i kërkon, në kohë, pa marrë, po themi ndërshkimin, apo sanksionet ligjore.


Fermerët që janë këtu, përpunuesit e qumështit, mishit, prodhuesit e nënprodukteve të tyre, duhet të jenë aleatët tanë më të mirë.


Gjatë takimit me përfaqësuesit e fabrikave të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, Ministri Peleshi ka qenë konkret në lidhje me masat lehtësuese dhe mbështetjen financiare që do ti ofrohet këtij sektori. Minsitri ka bërë publike skemën mbështetëse për përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale, duke dhënë shifra dhe vlera konkrete të subvencionimit dhe financimit në lekë të blegtorëve shqiptarë.


Për krerë të lindur të matrikulluar, për fermat me mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi do të jepet shuma në vlerën 500 (pesëqind) lekë/krerë dhe për fermat me mbi 10 krerë lopë do të jepet shuma në vlerën 2 000 (dymijë) lekë/krerë.


Duke siguruar matrikullimin dhe regjistrimin pastaj kemi bërë hapin e parë për ta ndjekur në gjithë zinxhirin e vet, se çfarë bëhet qoftë me kafshën, qoftë me mishin, qoftë me qumështin. Pra i regjistrojmë, i kemi të evidentuar dhe pastaj krijojmë bazën për gjurmëshmërinë dhe për sigurinë ushqimore.


Për enët e çertifikuara për transportin e qumështit, nga ferma në pikat e grumbullimit dhe përpunimit, ne japim deri në 70 % të vlerës, maksimumi 25 mijë lekë të vjetra për njësi. ka thënë ministri.


Mbështetje për dorëzimin e qumështit. Lënda e parë që plotëson standardet në fuqi në vlerën 10 lekë për litër, 100 lekë të vjetra për litër, në pikat e përpunimit, në fermat me mbi 15 krerë lopë kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe raport-analizës laboratorike përkatëse. Pra në qoftë se qumështi del cilësia e parë, do të thotë me atë ndotjes mikrobike më pak se 100 mijë do të marrë 100 lekë për litër. Kushti është të jetë cilësia e parë, kushti i parë, dhe kushti i dytë është të ketë mbi 15 krerë lopë. Ka thënë z. Peleshi në vazhdim të fjalës të tij.


Një rëndësi të veçantë do tu jepet pikave të grumbullimit të qumështit, duke bërë të mundur ngritjen e pikave të reja ose konvertimin e baxhove aktuale të cilat e kanë të pamundur të arrijnë standartet, në pika grumbullimi.


Për pajisjen me makineri dhe për modernizimin e proçeseve të punës në fermat blegtorale me jo më pak se 10 lopë dhe jo më pak se 100 të imëta, mbështetja do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore.


U japim deri në 30 milionë lekë, natyrisht që një pjesë duhet ta investojnë dhe nga xhepi, për të ndërtuar një pikë grumbullimi, që në zonën, ku deri dje përpunonin qumështin, tani ta mbledhin qumështin dhe tjua sheshin fabrikave më të mëdha. Ministri është shprehur qartë që tashmë nuk do lejohet asnjë subjekt të transportojë qumështin në kushte primiteve dhe jo higjenike. Duhet ta transportojnë vetëm me çisterna inoksi. -ka përfunduar ministri.


10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)/Monitor