Rindërtimi i rrugës  së Dibrës është futur në fazën finale, ku tashmë po hidhet edhe shtresa e asfaltit. Për të mos penguar qarkullimin e automjeteve në këtë segment mjaft të rëndësishëm të kryeqytetit që u shërben mijëra banorëve dhe është një nga portat hyrëse në Tiranë, punimet po realizohen me shpejtësi gjatë natës.


Kryebashkiaku Erion Veliaj ka postuar në twitter disa nga fotot e punimeve që po kryhen në segmentin nga Farmacia 10 deri në Kinostudio,  e cila para ndërhyrjes ishte totalisht e amortizuar dhe një shqetësim konstant si për drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe për banorët e zonës prej pluhurit në verë apo baltës në sezonin e reshjeve.


Po ecim me ritme të shpejta për të asfaltuar Rr. Dibrës (Shkolla e Bashkuar). Pas ndërhyrjeve në blloqet e pallateve, trotuaret e korsitë e biçikletave, rrjetet ujë-energji-internet-kanalizime, po hyjmë në fazën finale!  Faleminderit për durimin e mbështetjen, shkruan Veliaj.


Në segmentin e Rrugës së Dibrës që nis nga Farmacia 10 deri te rruga Aleksandër Moisiu, në afërsi të Kinostudios, deri tani janë bërë punime nëntokësore për kanalizimet e ujërave të zeza dhe të shiut, sistemi i asfaltit, trotuare të reja, ndriçim led. Kjo rrugë do të plotësojë edhe një standard tjetër pasi për herë të parë do të ndërtohet një korsi e dedikuar me tapet të kuq për biçikletat.

































9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)