Shoqëria “Klik Ekspo Group” ka shtruar dje në gjelbërimin e hotel “Rogner Europapark” sofrën shqiptare të emërtuar “Balkan Modus Nutrienti”. Ekspofestivali i titulluar “Balkan Modus Nutrienti” do të zhvillohet në datat 7-10 maj. Si një e veçantë e kësaj sofre shumëngjyrëshe është Festivali i Gastronomisë. Ai vjen si një manifestim në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare të Gastronomisë. Përgjatë ditëve të ekspozimit, shefat më të mirë të kuzhinës shqiptare, por edhe të ftuar nga Federata Gastronomike e Greqisë, Turqisë, Polonisë, Kinës, Italisë, Izraelit etj., do të vihen në garë për të arritur çmimet, që do t’u akordohen në fund të manifestimit. Orare të veçanta do t’i dedikohen dhe nxënësve të Shkollave të Hote-leri&Turizmit. Lëvizja “Unë konsumoj “Prodhuar në Shqipëri”, është platforma promovuese që kërkon të infiltrohet në mënyrat e përzgjedhjes së konsumatorit shqiptar, duke e ndërgjegjësuar për afrimin me prodhimin vendas. “Prodhuar në Shqipëri” lë pas përhumbjen e tranzicionit të tejzgjatur, për t’u rikthyer me ngulm vitet e fundit në preferencat e konsumatorit vendas. Gara pambarim kundër produkteve të importit nxit fabrikat vendase për më shumë cilësi e sqimë, teknologji të avancuar, investim në imazh, në përpjekje që konsumatori t’i ndjekë hap pas hapi. Mbrojtja e konsumatorit dhe siguria ushqimore, qëndrojnë në majën e piramidës së “Balkan Modus Nutrienti”. Kjo nënndarje konceptuale dhe organizative e këtij aktiviteti i është kushtuar nismave të Ministrisë së Bujqësisë dhe organizatave ndërkombëtare në mbrojtje të shëndetit dhe interesave të konsumatorit, nëpërmjet plotësimit të normave të sigurisë dhe cilësisë së ushqimeve që serviren në treg. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave nga ana tjetër prezanton Programin për Ndryshimet Klimatike, Projektin e Zhvillimit të Burimeve Ujore dhe projektin për Menaxhimin e integruar të ekosistemit të basenit të liqeneve të Prespës në Shqipëri, Ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqi. Një ngjarje tepër simbolike e këtij ekspofestivali do të jetë Dita Kombëtare e Vajit të Ullirit. Është një event i organizuar nga Albanian Agriculture Competitivness AAC /USAID, program i cili mbështet sipërmarrësit shqiptarë të agrobiznesit. “Balkan Modus Nutrienti” i kushton një vëmendje të madhe ushqimeve bio-organike dhe hapësira të pakursyera organizmave financues në ndihmë të zhvillimit dhe përditësimit teknologjik të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, sensibilizim e divulgacion për projekte të iniciuara nga Ministria e Bujqësisë ne kuadër të produkteve BIO. Këndi i debateve dhe diskutimit të problematikave të sektorit, sportelet informative, etj., përbëjnë fillin produktiv të manifestimit. Janë konceptuar hapësira të veçanta ekspozuese, të kuruara nga organizatori, për t’i lehtësuar promovimin edhe atyre prodhuesve, të cilët për motive të ndryshme nuk do të mund të përballonin pjesëmarrjen individuale (produkte ushqimore artizanale etj).