Kosova duhet të ketë një Ligj për Kinematografinë që për referencë ka kërkesat e komunitetit artistik dhe gjendjen reale në terren, por edhe që është konform praktikave më të mira rajonale e evropiane, deklaroi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, gjatë punëtorisë që për temë kishte ndryshimin e Ligjit aktual për Kinematografi.

Në këto takime, që u mbajtën të hënë dhe të martën, morën pjesë krijuesit kinematografikë nga Kosova.

Ministri Krasniqi i bëri ftesë komunitetit artistik kosovar për të dhënë rekomandimet e veta, në mënyrë që ato pastaj të jenë pjesë e diskutimit gjatë dëgjimeve publike që do të organizohen në muajt dhjetor dhe janar.

Ministri Krasniqi falënderoi grupin punues dhe për ndryshimin e Ligjit, për punën që ka bërë deri tash e po ashtu falënderoi Komisionin Evropian për ndihmën e dhënë, duke sjellë në Kosovë ekspertë që do të ndihmojnë në fazat e mbetura të ndryshimit të ligjit, siç kishte kërkuar MKRS-ja.

“Meqë gjatë këtyre dy vjetëve jemi munduar që në çdo proces të jenë të përfshirë aktorët kryesorë, pra njerëzit e fushës përkatëse, as sot nuk dua të japë vlerësime apo mendime për atë se si do të duhej të ishin ndryshimet. Ka qenë dhe është vizion i yni që kultura - në këtë rast kinematografia - të jetë në duar të profesionistëve, të atyre që dinë më së miri ta menaxhojnë atë. Dhe, kjo ka ndodhur.

Por ajo që vërtetë dua të shpreh sot është përkrahja ime në gjithë angazhimet e juaja për ndryshime në këtë ligj, e në veçanti në fushën e kinematografisë”, deklaroi ministri Krasniqi.

Sipas tij, për ministrinë është me rëndësi që ligji të jetë i zbatueshëm, i bazuar në kërkesat e komunitetit dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, të jetë i qartë dhe që ta rregullojë saktësisht tërë këtë fushë. Nëse të gjithë i përmbahen kësaj filozofie të fushës, sipas ministrit, është “e natyrshme se do të sjellë përparim edhe më të madh në kinematografi”, përmes rritjes së prodhimtarisë dhe cilësisë filmike, me kusht që qëllim primar të jetë orientimi i prodhimtarisë në realizimin e projekteve bashkëpunuese me shtëpi të ndryshme filmike nga bota.

“Kinematografia kosovare ka qenë prezente në ngjarjet më të mëdha botërore, si në Cannes e Berlinale. Ky rrugëtim do të vazhdojë edhe në të ardhmen, siç do të vazhdojë të rritet edhe mbështetja buxhetore për QKK’në. Mbështetja do të rritet në edhe çdo sferë tjetër të kulturës, dhe unë vërtet pres që të ketë edhe më shumë suksese dhe që komuniteti ta zhvillojë vet kulturën”, përfundoi Krasniqi, derisa po vlerësonte arritjet deritanishme të kinematografisë kosovare, sidomos në promovimin e saj dhe në krijimin e kontakteve me krijues nga bota.

Nga ana tjetër, eksperti francez i kinematografisë i angazhuar nga QKK e MKRS, Thierry Baujard, sqaroi se synim kryesor i punës së tij është dhënia e rekomandimeve për nxjerrjen e një ligji sa më të zbatueshëm për kinematografinë, i cili po ashtu do të identifikojë një rrugë të qartë që duhet ndjekur Kosova, ashtu që të ketë elementet e saja dalluese krahasuar me vendet e tjera.

Sipas Baujard, vetëm në këtë mënyrë Kosova do të bëhej tërheqëse edhe për shumë producentë dhe regjisorë filmash nga mbarë bota.

Ndryshe, pas këtij dëgjimi treditor, në muajin dhjetor pritet të zhvillohen edhe debate tjera të ngjashme me ekspertë të huaj, të cilat do të vazhdojnë edhe gjatë muajit janar, para se projekt-propozimi i parë i Ligjit të dalë në dëgjim publik.