03/10/2011  Rregullat e plota


Çelen nesër aplikimet për lotarinë amerikane 2013. Kandidatët e interesuar duhet ti drejtohen faqes zyrtare të internetit ww.dvlottery.state.gov për të shkarkuar formularin e aplikimit online, duke nisur nga ora 18.00, ditës së nesërme, për të përfunduar në të njëjtin orar të datës 5 nëntor. Rregullat dhe udhëzimet për një aplikim sa më të suksesshëm gjenden të detajuara në faqen e internetit të ambasadës amerikane, www.albanian.tirana.usembassy.gov/dv.html. Para aplikimit për lotarinë, duhet të kontrollohen kërkesat për kualifikim, si arsimi ose puna e specializuar. Kërkesa për arsim të mesëm të barabartë me arsimin e mesëm në SHBA, është shumë e prerë dhe profesionet për të cilat përvoja e punës mund të përdoret për tu kualifikuar janë të kufizuara. Aplikanti duhet të regjistrohet vetëm një herë në vit, e sa më herët të kryhet aplikimi nga data e çeljes, aq më të shumta janë mundësitë për tu përzgjedhur. Aplikanti kryesor duhet të përfshijë bashkëshortin dhe fëmijët nën 21 vjeç në aplikim, përfshirë fëmijët e adoptuar, fëmijët e bashkëshortit nga martesa të mëparshme dhe fëmijë, të cilët mund të mos jetojnë aktualisht me të. Për tu kualifikuar për lotarinë aplikanti duhet të ketë kryer shkollën e mesme me kohë të plotë. Edukimi me korrespondencë, pa shkëputje nga puna ose natën, edhe ai 5-vjeçar, nuk është i mjaftueshëm për kualifikim. Pas regjistrimit me sukses për lotarinë në ekranin e kompjuterit duhet të shfaqet një numër konfirmimi i aplikimit (Application Confirmation Number). Ky numër konfirmimi duhet ruajtur të paktën deri në muajin qershor 2013. Kjo pasi numri i konfirmimit është e vetmja mënyrë për të parë nëse aplikanti (dhe familja e tij) është përzgjedhur. Nëse aplikanti përzgjidhet kjo është e vetmja mënyrë për të parë se kur është planifikuar data e tij e intervistës. Nëse aplikanti humbet numrin e konfirmimit, nuk ka asnjë mënyrë për ta rigjetur atë nëpërmjet seksionit konsullor apo Departamentit të Shtetit, ndaj duhet ruajtur. Asnjë fitues nuk do të njoftohet nëpërmjet postës apo e-mailit.