basha-shero

Lulzim Basha: "Edi Rama, aleancë me bandat - PD, gjithmonë aleancë me shqiptarët e ndershëm. Të bashkohemi në zgjidhje, sot për Dibrën e nesër për Shqipërinë"

Në takimin e djeshëm, mbajtur në Pallatin e Kulturës ishte i pranishëm edhe kreu Lulzim Basha. Në fjalën e tij para këtyre socialistëve të zhgënjyer, Basha theksoi me të fortë se PD midis aleancës mes një tufi horrash dhe hajdutësh do të zgjedhë gjithmonë aleancën me shqiptarët e ndershëm. Kreu demokrat u shpreh se sot ata i bashkon një hall i madh, pasi thekson se një grusht njerëzish, jo socialistë vendosin kush do punësohet, kush merr tendera, kush merr pasuritë e shqiptarëve. Kreu Basha në fjalën e tij u shpreh gjithashtu se të gjithë e dinë që Muharrem Rama nuk është kandidat i PS po i një allishverishi që dorëzon me letra 50% të pushtetit. Më tej, Basha i përgëzoi socialistët dibranë, ndërsa i tha se politika që e trajton Shqipërinë si plaçkë për ta ndarë me një grusht banditësh dhe kriminelesh nuk është rruga e shqiptarëve. "U jam shumë mirënjohës që më keni ftuar sot në këtë takim tuajin, të socialistëve dibranë dhe vij me zemër të hapur për të biseduar me ju dhe për të ndarë me ju të gjitha çështjet dhe problemet që ju shqetësojnë, të gjitha hallet që na bashkojnë dhe mbi të gjitha zgjidhjet që do të na bashkojnë nesër për t'u dhënë këtyre halleve rrugën e zgjidhjes, rrugën e vërtetë të ndryshimit, të ndryshimit për ju dhe jo për kryetarët e partive. Si kryetar i Partisë Demokratike nuk kam asgjë tjetër në zemrën time, për çdo socialist dhe socialiste dibrane, për çdo socialist shqiptar anembanë vendit që ka kontribuar me zemër në partinë e tij apo të saj politike duke shpresuar dhe besuar se kështu do të kontribuonte për një ndryshim pozitiv për vendin e tyre, për Shqipërinë tonë të përbashkët", tha Basha. Në vazhdim, Basha tha se ka refuzuar dhe refuzon çdo stigmatizim që ka për qëllim përçarjen e shqiptarëve. "Unë besoj thellë në zemrën time se çdo kush që i përvishet thellë politikës me çiltërsi, me sinqeritet dhe me motive të vërteta politike kontribuon në përparimin e vendit. Dhe po kështu besoj se demokratë e socialistë të cilët e shikojnë politikën jo si një instrument për të bërë plaçkë por si një instrument për të ndryshuar Shqipërinë, meritojnë nderimin e gjithkujt dhe sigurisht kanë nderimin tim si qytetar dhe kryetar i opozitës. Mund të jemi siç kemi qenë këto 25 vite në dy anë kundërshtare të politikës por bashkohemi patjetër në disa vlera bazë që kanë të bëjnë me identitetin tonë si njerëz në radhë të parë, si shqiptarë, si prindër, si familjarë, si qytetar që shpresojnë dhe dëshirojnë që e nesërmja të jetë më e mirë dhe jo më e keqe se e sotmja". Më tej, Basha u shpreh se e di çfarë ju ka sjellë në këtë sallë. "Unë e di se çfarë na bashkon sot në këtë sallë. Një hall i madh që ka kapur jo vetëm Degën e Partisë Socialiste Dibër por Partinë Socialiste anembanë Shqipërisë dhe këto janë aleancat, jo tuajat si socialistë i thjeshtë por të atyre të përfitojnë nga pushteti, të krerëve tuaj me persona me rekorde kriminale të cilët diktojnë nga mëngjesi deri në darkë se kush do të punësohet, si do të punësohet, se kush merr tenderat, se kush bën emërimet, madje edhe se kush emëron kandidatët për kryetar bashkie. Sepse të gjithë e dini që Muharrem Rama, për të cilin ju shprehët respektin si profesionist, nuk ka dalë si kandidat i PS, por ka dalë si pjesë i një allishverishi që dorëzon automatikisht me letër 50% të pushtetit të bashkisë Dibër me klanet e errëta të krimit. Dhe ju e dini nga përvoja juaj se nesër ku 50% do të jetë 60%, e 70%, e 80%, derisa pushtetin lokal në Dibër ta kenë kapur përfundimisht krimi, bandat e ta përdorin për interesat e tyre, për pasurimin e tyre, për drogën e jo për socialistët dibranë e as për demokratët dibranë, për asnjë dibranë të ndershëm. Halli që na ka bashkuar këtu është pra futja e krimit në politikë, roli gjithmonë e më i madh i krimit dhe i bandave në politikë". Më tej, Basha tha se përçarja e shqiptarëve i vlen një grushti oligarkësh, kusarësh dhe kriminelësh të cilët të babëzitur po marrin pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, nga buxheti i shtetit, tenderat korruptivë, koncesionet tek pasuritë, mineralet, bregdeti, zhvillimin. "Ne jemi bashkuar për të mos ia dorëzuar Dibrën bandave, por për ta mbajtur Dibrën për dibranët punëtore e të ndershëm e për ta çuar përpara me djersën e ballit dhe me mençurinë që karakterizon këtë trevë e dibranët anembanë, përpara Shqipërisë. Të bashkohemi pra jo vetëm në hall por të bashkohemi edhe në zgjidhje. Të bashkohemi në zgjidhje sot për Dibrën e nesër për Shqipërinë. Unë respektoj kontributin tuaj si socialistë dhe besimin se përmes kontributit tuaj politik do të ndryshonit Shqipërinë. E respektoj edhe pse e kemi bërë këtë me dy anë të kundërta të politikës. Sepse politika me zemër të bardhë, me synime të pastra është një instrument ndryshimi. Por politika që përdor njerëzit, përdor militantët për të kapur pushtetin dhe pastaj e ndan pushtetin si plaçkë me një grusht hajdutësh e kriminelësh, politika që e trajton dhe e ndan Dibrën si plaçkë me një grusht banditësh dhe kriminelësh nuk është zgjidhja jonë, nuk është zgjidhja juaj e nuk mund të jetë kurrë zgjidhja e asnjë dibrani, asnjë shqiptari të ndershëm". Në vazhdim, Basha shprehu vlerësimin për qëndrimin e socialistëve dibranë. "Jam shumë i prekur sepse mund të kishit zgjedhur një rrugë tjetër, atë të heshtjes. Mund të kishit zgjedhur rrugën e nënshtrimit ndaj tutelës së krimit që po mundohet t'ju vejë në qafë me emrin e Muharrem Ramës, pas të cilit ju e dini fare mirë që vetëm interesat e socialistëve dibranë nuk qëndrojnë. Kauza e një kryetari bashkie për Dibrën dhe dibranët, që do t'ua kthejë Dibrën dibranëve e do të punojë për Dibrën e dibranët, kauza e Sherefedin Shehut. Ju punuat në fushatë, ecët, vrapuat, derdhët djersë sepse besuat që do të vinte ndryshimi por ndryshimi nuk erdhi. Ndryshimi erdhi vetëm për një grusht njerëzish që u pasuruar mbi kurrizin dhe djersën tuaj, që kanë kapur sot të gjithë pasuritë e vendit. Shumë prej jush janë të papunë. Shumë prej jush janë përbuzur dhe poshtëruar nga pushteti për të cilin punuat dhe u rropatët. Pse vjen kjo?! Sepse pushteti ka vendosur ta ndajë tortën me një grusht njerëzish. Sepse Edi Rama ka vendosur që ti ndajë të gjitha tenderat publikë me një njeri në Dibër, me Sadri Abazin. E tani do që ti dhurojë bashkinë një grushti tjetër njerëzish të cilët vijnë me stema partiake por që në fakt përfaqësojnë interesa kriminale. Interesat e hashashit, interesat e zhvatjes së Dibrës dhe dibranëve. Këtë gjë ju nuk mund ta pranoni. Asnjë njeri me dinjitet nuk mund ta pranojë këtë, socialist, demokrat apo çfarëdo qoftë. Ne e kuptojmë fare mirë dhe unë e kuptoj fare mirë zemërimin tuaj. E kuptoj edhe paralajmërimin e z Kaziu. Kam ardhur sot tu them e tu jap fjalën sot, doktor Muratit, z. Kaziu, z. Mziu, se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, midis aleancës mes një tufë horrash dhe hajdutësh për të ardhur në pushtet dhe aleancës me socialistët e ndershëm për të ndryshuar Shqipërinë, ka zgjedhur dhe do të zgjedhë gjithmonë aleancën me shqiptarët e ndershëm dhe me socialistët e ndershëm. Këtu qëndron forca e ndryshimit, ndryshimit të vërtetë që do të funksionojë për ju dhe jo për një grusht njerëzish që mendojnë vetëm për pasuritë e tyre". Në vazhdim kreu Basha theksoi se zgjedhja e Edi Ramës për të mos qeverisur me socialistët dhe për të mos qeverisur me shqiptarët e ndershëm, por për të qeverisur me krimin është vetë problemi. "Është zgjedhje e Edi Ramës që ti dorëzojë Lezhën Arben Ndokës. Është zgjedhje e Edi Ramës që ti dorëzojë Laçin Armando Prengës dhe Artur Bardhit. Është zgjedhje e Edi Ramës që të bëjë pakt me krimin dhe kriminelët, jo me qytetarët dhe as më socialistët. Kërkon kurajo të madhe ta kuptosh e të ngrihesh kundër kësaj zgjedhe me pasoja fatale për vendin. Ju e keni dëshmuar këtë kurajo. Ndaj unë ju mirëpres sot në familjen tonë politike, jo thjeshtë e vetëm socialistë por si shqiptarë. E ju them kini besim se vlerat që na bashkojnë janë më të forta se sa veset që bashkojnë ata që sot kanë uzurpuar pushtetin. Sepse shumica dërmuese e shqiptarëve, demokratë dhe socialistë, mendojnë si ju, mendojnë si ne dhe ky bashkim është çelësi i fitores së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Banda është më e izoluar se kurrë. Ata e dinë që ju kanë tradhtuar. Ata e dinë që ju kanë zhgënjyer. Ata e dinë që nuk kanë bërë asgjë për ju. Shpresa e tyre e vetme është mashtrimi, siç erdhi këtu dhe mashtroi përsëri për Rrugën e Arbrit, shpresa e tyre e vetme është pakti me krimin, siç kanë bërë me Bashkinë e Dibrës. Gjithë bastin e kanë vënë që krimi dhe kriminelët do të detyrojnë dibranët, ku me hir e ku me pahir, të kthejnë votën e tyre kundër vetes e fëmijëve të tyre". Në vazhdim, Basha tha se përtej fjalëve, zgjedhja e Sherefedin Shehut është me akte, me vepra, respekti që ne kemi për Dibrën dhe dibranët. "Ju këtu përfaqësoni veten tuaj por ju e dini se përfaqësoni shumë e më shumë. Përfaqësoni qindra, mijëra votues socialistë të cilët janë ngopur me premtime boshe, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës me mashtrime, të cilët janë varfëruar e poshtëruar më shumë në këto 3 vite kur partia për të cilën punuan ka qenë në pushtet por që kanë qenë në pushtet vetëm një grusht oligarkësh dhe hajdutësh, jo socialistët e ndershëm. Ju përfaqësoni një shpresë të mijëra votuesve socialistë se 11 Shtatori do të jetë dita kur me votën tuaj dhe me bashkimin e votës tuaj do ti çoni një sinjal të fuqishëm pushtetit, pushtetarëve të sotëm dhe pushtetarëve sot e tutje, siç tha z Kaziu, se nuk mund të tallen me njerëzit se nuk mund të tallen me popullin, se fati i Dibrës dhe i familjeve tuaja, fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve, kurrë nuk mund të jetë në dorë të krimit dhe as në dorë të hajdutëve, as të mashtruesve, veçse kur kjo ndodh, ju ngriheni dhe merrni fatin tuaj, fatin e familjeve tuaja dhe fatin e Dibrës në dorën tuaj. Për sa më takon mua, dua tu jap fjalën sot dibranëve e nga Dibra gjithë shqiptarëve, se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, kurrë në asnjë moment nuk e kanë vënë në dyshim e nuk do ta vëmë në dyshim, edhe në javët dhe muajt që do na çojnë në zgjedhje të përgjithshme, midis zgjedhjeve dhe aleancave me krimin dhe kusarinë për hir të pushtetit dhe zgjedhjes së aleancës më të gjerë me shqiptarët punëtorë e të ndershëm, pavarësisht bindjeve politike, zgjedhim gjithmonë këtë të dytën; aleancën me qytetarët e ndershëm, me shqiptarët e ndershëm, me dibranët e ndershëm, me socialistët e ndershëm", tha Basha.