>Fshati Janjar, i përmbytur vite më parë nga ndërtimi i veprës ujitëse -Liqeni ujëmbledhës i Janjarit, i cili u ndërtua për të ujitur fushat e Vrinës, Vurgut, Livadhjasë, Alikos, Konispolit, Mursisë dhe gjithë zonën fushore të Sarandës ka rreth 15 vjet që priste të shpërngulej në zonën bregdetare, pasi tokën bujqësore e ka zënë pasqyra ujore e Liqenit të Janjarit.

Megjithëse qeveritë shqiptare të pas viteve 90 e kanë shqyrtuar dhe vendosur për problemin e banorëve të fshatit të zhytur në ujë, të mbetur pa tokë prej vitesh janë sorollatur në kërkim të një trualli për shtëpi në vendin e premtuar, dje kanë përjetuar emocionalisht zgjidhjen përfundimtare. Me vendim qeverie, fshatit i është dhënë një sipërfaqe trualli në njërën prej kodrave të Berdeneshit. Bëhet fjalë për 181 troje ndërtimi me një sipërfaqe për çdo truall prej rreth 300 deri 350 metër katror, ku është skicuar ngritja e fshatit të ri. Fshati i ri ka tashmë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm si master planin, studimin gjeologjik, topografik, skicat e projektit, plan vendosjen, vendimin e qeverisë, prefekturës etj. Dje, një pjesë e banorëve të kësaj qendre të re të banuar, kanë nisur zyrtarisht punimet për ngritjen e fshatit sipas gent-planit të miratuar nga KRRT-në e Republikës. Fshati i ri do të ngrihet në lartësinë mbi Gjirin e njohur të Pasqyrave, pranë Manastirit të Shën Gjergjit dhe Murit të Demës në kufi me Ksamilin dhe Berdeneshin, i cili ende nuk ka marrë status të qëndrueshëm administrativ nëse i takon të jetë nën juridiksionin e Alikos, Bashkisë së Sarandës apo komunës së Ksamilit.