Pas akuzave të Prokurorisë, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani ka marrë në mbrojtje Gjykatën e Apelit duke vlerësuar maksimalisht punën e saj. "Kam vlerësim maksimal për punën e kësaj gjykate”-tha Nishani










TIRANë- Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani tha dje se pagat e gjyqtarëve do të rriten dhe një gjë e tillë do të bëhet e mundur me anë të një ligji të posaçëm, i cili pritet të këtë në qendër të vëmendjes trajtimin financiar të gjyqtarëve. Sipas tij, institucioni që ai drejton, tashmë ka nisur nga puna për hartimin e draftit në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave që do të përmirësojë kushtet financiare të kategorisë së gjyqtarëve. Gjatë intervistës, ministri i Drejtësisë ka marrë në mbrojtje edhe Gjykatën e Apelit, duke deklaruar se ka vlerësimin maksimal për këtë gjykatë, edhe pse pak ditë më parë kreu i Prokurorisë së Apelit ngriti disa shqetësime që lidhen drejtpërdrejtë me punën e shkallës së dytë të gjyqësorit në Tiranë. “Gjykata e Apelit është një gjykatë që përballon një fluks të madh dosjesh. Kam vlerësim maksimal për punën e Gjykatës së Apelit”- tha Nishani. Po ashtu sipas ministrit, një tjetër çështje e rëndësishme që do të shihet me prioritet janë edhe inspektimet tematike në gjykata e prokurori. Nishani tha se aktualisht inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë janë duke zhvilluar një inspektim në Prokurorinë e Elbasanit, rezultatet e të cilit do t’i paraqiten së shpejti Prokurorisë së Përgjithshme.


Rritja e pagave


Përmirësimi i kushteve financiare të gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë të gjykatës, çështje kjo e diskutuar vazhdimisht nga ky komunitet, sipas Nishanit mbetet një ndër prioritetet e ministrisë që ai drejton. “Në pozicionin e ministrit të Drejtësisë, jam angazhuar në dy drejtime, që kanë të bëjnë me pjesën e suportit administrativ dhe kushteve të punës së Gjykatave. Së pari, për të parë mundësinë për të paraqitur në Qeveri një ligji të ri për rritjen e pagave të gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit”,- tha ministri Nishani, duke konfirmuar bashkëpunimin me ministrinë e Financës për këtë qëllim. Numri një i drejtësisë shpjegoi edhe arsyet e kësaj nisme, e cila pritet të përmirësojë më tej trajtimin financiar të gjyqtareve. “Kjo ka lindur si domosdoshmëri për faktin se Ligji Për Organizmin e Pushtetit Gjyqësor, e referon pagën e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit me përqindje me pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, i cili e ka pagën e barabartë me atë të ministrit. Ndërkohë që, për shkak të politikës së kësaj Qeverie për të mos rritur pagat e larta, por ato të ulëta dhe të mesme, paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nuk ka pësuar rritje dhe indirekt edhe ajo e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit”- deklaroi Nishani, i cili pohoi se së shpejti projektligji do të kalojë për miratim në qeveri.


Vlerësimi për Apelin


Duke folur për kritikat nga drejtuesi i Prokurorisë së Apelit në drejtim të gjykatës së të njëtës shkallë, ministri i Drejtësisë, tha se nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare për punën e Gjykatës së Apelit. “Ministria e Drejtësisë organizon inspektime tematike, të cilat i adreson në formën e ankesës. Por, kjo ministri nuk ka pasur asnjë lloj ankese nga prokuroria, struktura të tjera apo qoftë edhe ndonjë qytetar lidhur me çështjet që trajtohen në Gjykatën e Apelit të Tiranës”-tha Nishani. Sipas tij gjykata e Apelit është një Gjykatë, e cila përballon një fluks të madh dosjesh “Kam vlerësim maksimal për punën e Gjykatës së Apelit”-deklaroi ministri i Drejtësisë. Po ashtu sipas kreut të dikasterit të drejtësisë bëhet me dije se, aktualisht ky institucion është duke ushtruar disa inspektime, në kuadër të inspektimeve tematike në prokurorinë e Elbasanit apo disa të tjera, dhe konkluzionet e këtyre inspektimeve do t’i përcillen Prokurores së Përgjithshme.