Ministri i Drejtësisë inspekton procesin e kompensimit që lidhet me legalizimet

Afrimi i datës për mbylljen e aplikimeve për kompensimin e ish-pronarëve që preken nga legalizimet ka sjellë për inspektim ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishanin. Kreu i Drejtësisë ishte dje i pranishëm në zyrat e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga ku deklaroi se fondi për ish-pronarët llogaritet në rreth 15 milionë dollarë dhe pritet të rritet deri në fund të vitit, në varësi të procesit të legalizimeve. Ai shtoi se po punohet me kapacitet të plotë, në mënyrë që procesi të marrë zgjidhjen e duhur dhe të shpejtë. Nishani tha se ka një fond prej rreth 1.5 miliardë lekësh për 350 subjekte të identifikuara deri më tani, i cili do të jetë në rritje deri në fund të vitit 2010.


“Procesi është duke ecur paralelisht. Vendimet e qeverisë reflektojnë vendimin e ALUIZNI-t. Për kompensimin e këtyre 350 subjekteve janë vënë në dispozicion 1.5 miliardë lekë të reja, një fond që do të vijë duke u shtuar”, është shprehur Nishani. Ministri i Drejtësisë ka kërkuar nga të gjithë personat apo subjektet të nisin procedurat e identifikimit të pronave të tyre, të cilat kanë qenë pjesë e zonave informale.


“Me drejtuesit e AKKP-së diskutuam mbi masat ligjore, pra amendime dhe ndërhyrje të mundshme në legjislacion, masat administrative që kanë të bëjnë pikërisht me krijimin e mekanizmave efektive të brendshme për trajtimin e çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, dhe natyrisht me masat buxhetore të cilat mbështesin në fund të fundit të gjitha këto masa të mësipërme që unë përmenda", tha Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë.








#