sanderPasi ka shkarkuar në fshehtësi dhe heshtje të plotë gjeneral Sandër Lleshin, presidenti Bujar Nishani e ka publikuar më në fund dekretin në faqen e Presidencës.


Nishani e ka shkarkuar Lleshin që në datën 21 maj, pa ia komunikuar këtij të fundit vendimin. Gazeta TemA publikoi dje lajmin për shkarkimin e gjeneralit dhe vetëm pas kësaj, Presidenca është detyruar që të bëjë publike në faqen e saj dekretin për shkarkimin.


Në dekret nuk jepet asnjë motiv për shkarkimin e Sandër Lleshit, por bëhet me dije vetëm se ai lirohet nga detyra.


Por, përveç Lleshit, Nishani ka shkarkuar nga detyra edhe dy gjeneralë të tjerë.


Presidenti Nishani dekreton lirimin nga detyra të Komandantit të Forcës Ajrore dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Dhori Vangjel Spirollari


Presidenti Nishani dekreton lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi


Presidenti Nishani dekreton lirimin nga detyra të Komandantit të Brigadës së Mbështetjes Rajonale dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Abaz Liman Lleshi, thuhet shkurtimisht në dekretet e Presidencës, pa u dhënë asnjë shpjegim për shkarkimet.


Sandër Lleshi, duke folur në një intervistë për Top Channel, ka thënë se shkarkimi i tij vjen pas përplasjeve që ka pasur me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami.


Nuk bëhet fjalë për një zhvillim të ditëve të fundit, bëhet fjalë për një zhvillim që ka një histori të gjatë. Në bazë të këtij raporti qëndrojnë disa divergjenca të rëndësishme parimore për mënyrën e funksionimit të drejtimit të Forcave të Armatosura, probleme të cilat i kam diskutuar në të gjitha instancat përkatëse me ministrin dhe së fundi i kam bërë zyrtare dërguar me shkrim dërguar krerëve të shtetit. Bëhet fjalë për një diskutim të nisur prej kohësh për arsye për parime të mëdha të mënyrës së drejtimit dhe funksionimit të Forcave të Armatosura, thotë gjenerali, i cili u përfol edhe si kandidat i mundshëm për president./b.l