Akademikë, shkrimtarë, artistë dhe gazetarë vizitojnë mjediset e grevës


TIRANË – Të paktën 50 intelektualë nga të gjitha fushat kanë dalë në mbështetje të grevës së organizuar nga deputetë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste. Akademikë, shkrimtarë, artistë, studiues dhe gazetarë kanë vizituar çadrat ku janë të ngujuar rreth 200 persona dhe më pas kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama. Ky veprim vjen vetëm pak ditë pas peticionit që bënë disa intelektualë, të cilët i bënin thirrje kreut të opozitës që të ndërpritet greva.



Mbështetja

Një grup prej rreth 50 intelektualësh vizituan dje paradite deputetët dhe qytetarët grevistë, duke i mbështetur në kauzën e tyre për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Me buqeta në duar, artistë, akademikë, njerëz të medias, konstitucionalistë kanë ndarë për disa minuta çaste me mbështetësit e Partisë Socialiste. Burimet në grupin organizator të grevës bëjnë të ditur se është hapur edhe i ashtuquajturi “libri i bardhë”, ku intelektualët vizitorë kanë shkruar përshtypjet e tyre nga kjo vizitë. Madje, vizita e tyre përkoi edhe me momentin kur po transportohej me urgjencë në spital deputeti Asllan Dogjani.



Takimi

Menjëherë pas përfundimit të vizitës, grupi i intelektualëve ka zhvilluar një takim me kryetarin e PS-së Edi Rama dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste. Për disa minuta ata kanë diskutuar rreth gjendjes shëndetësore të deputetëve dhe simpatizantëve grevistë, si dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Sipas burimeve zyrtare të PS-së, mes emrave që dolën dje në mbështetje të grevistëve janë: Pirro Milkani, Rudina Xhunga, Petrit Malaj, Luan Omari, Jorgo Bulo, Maks Velo, Oni Pustina, Diana Çuli, Eduard Sulstatorova, Lorenc Vangjeli, Ardian Klosi, Gjergji Xhuvani etj.

Prej disa ditësh, greva e urisë, e organizuar nga PS-ja, është përballur me kritika dhe nisma të qarqeve intelektuale, shoqatave të të rinjve dhe të grave, të cilat kanë protestuar dhe kanë bërë apel për ndërprerjen e saj, duke e konsideruar si një lëvizje që bllokon liberalizimin e vizave dhe përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.



DISA PREJ INTELEKTUALËVE



Pirro Milkani

Rudina Xhunga

Petrit Malaj

Kastriot Çaushi

Luan Omari

Jorgo Bulo

Maks Velo

Oni Pustina

Diana Çuli

Eduard Sulstatorova

Lorenc Vangjeli

Ardian Klosi

Gjergji Xhuvani

Luftar Paja





12 Maj 2010