Prishtinë, 2 shtator - Sulmuesi kosovar Njazi Kuqi karrierën do ta vazhdojë në kategorinë e dytë skoceze. 27-vjeçari Kuqi të martën ka firmosur për një vit me skuadrën Dundee FC. Këtë e ka bërë të ditur vetë futbollisti për gazetën.


"Kam firmosur për një vit me skuadrën Dundee. Jam i kënaqur me kushtet e ofruara dhe me pritjen. Shpresoj që të shënoj sa më shumë gola për të ndihmuar skuadrën time të re që të arrijë synimet për inkuadrim në Premier Leaguen e Skocisë", ka thënë Njazi Kuqi për gazetën.


Dundee për herë të fundit në Premier League të Skocisë ka luajtur në edicionin 2004/2005. Pas javës së katërt të kategorisë së dytë renditet në pozitën e tretë me shtatë pikë.


Njazi Kuqi nga qershori ishte pa skuadër. Ai së fundi ka luajtur për Koblenzin në kategorinë e dytë gjermane. Gjatë verës është provuar në Swansea City të Uellsit, RBC Roosendaal të Holandës dhe në ekipin e kategorisë së katërt angleze, Stevenage. Më herët karrierë ka bërë edhe në klubet Carl Zeiss Jena, Groningen, Birmingham City, Peterborough e Blackpool. Karrierën e ka nisur në klubin finlandez Lahti.


Sulmuesi i lindur në Vushtrri ka luajtur tri herë për Përfaqësuesen e Finlandës. Ka shënuar tre gola.