Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor shfaq në 7 dhe 8 dhjetor, ora 19:00 në arTurbina – Grand Gala Të gjithë e duan Agim Krajkën. Gjatë këtij viti ka pasur  performanca të shumta me rastin e 60-të vjetorin e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, që mbyllin siparin me këtë koncert kushtuar nje artisti të madh, që ka kompozuar e drejtuar për 30-të vjet me radhë  orkestrën e AP.


Gjatë koncertit Presidenti i Republikes Ilir Meta do të dekorojë me titullin e lartë Nderi i Kombit, Mjeshtrin e Madh të muzikës shqiptare.


Agim Krajka i kushtoi çdo ditë të karrierës së tij artistike, folklorit muzikor duke e eksploruar në çdo cep të Shqipërisë, për ta patur si muzën më të shtrenjtë, më të dashur,  e cila do ti jepte frymëzimet më të bukura per veprat muzikore, të cilat gjithmonë bënin tendencën e muzikës së kohës. Ai ishte i fundit që shkëputej nga folklori dhe i pari që ndiqte trendet e muzikës së kohës, prandaj të gjithë e kërkonin dhe donin të bashkëkrijonin e ndanin  skenën me të.


Publiku e dëshironte pa fund kur luante në fizarmonike dhe mezi priste të dëgjonte kengët e tij në festivalin e fundvitit. Miqt dëshironin ta kishin afër në tryezë për tu gëzuar me alegrinë që shpërndante përreth. Ndaj të gjithë e donin dhe e duan Agim Krajkën.


Agim Krajka erdhi në Ansamblin Shtetëror 54 vjet më parë si fizarmoniçist me aftësi të rralla dhe individualitet  virtuozi. Ai më pas u bë dirigjenti dhe përpunuesi më i rëndësishëm në historinë e AP. Ashtu si Mjeshtri i Madh – Panajot Kanaçi, që e ngriti trupen e valleve të AP në nivele tejet të larta duke  e ngritur vallen popullore  në majen më të lartë të intepretimit  edhe Mjeshtri i Madh Agim Krajka e ngriti në këto nivele ekzekutimin e  melodive të valleve popullore .


Ai me klasin dhe talentin e tij ndërtoi një strukturë në formacionin e orkestrës, i cili nuk ishte parë deri në atë kohë.  Ndërtoi modele orkestrimesh e përpunimesh të këngëve dhe valleve nga gjithë krahinat, duke ruajtur me fanatizëm karakteristikat ritmike e melodike. Kjo strukturë mbajti gjatë, deri më sot, gjithë peshën e  krijimtarisë së Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve.


Agim Krajka u lind në 3 maj të vitit 1937 në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i apasionuar pas muzikës dhe si amator luante në disa instrumente muzikore si: violinë, mandolinë dhe fizarmonikë, të cilën e mbante si pasurinë më të çmuar të familjes. Magjia e këtij instrumenti ndezi pasionin e madh të djalit të vetëm, Agimit që fshehurazi nisi ta vetmësonte dhe luante në të meloditë e para. Që në moshën 16 vjeçare, Agim Krajka u dallua për aftësi të rralla, me një individualitet e qartësi ekzekutimi perfekt dhe u cilësua si virtuozi i fizarmonikës.


Në vitin 1963, Agim Krajka filloi studimet për teori e kompozicion, nën drejtimin Artistit të Popullit – Çesk Zadeja. Krijimtaria e tij është voluminoze. Mjeshtri ka kompozuar qindra këngë, valle popullore  dhe shumë pjesë për orkestër simfonike si: Suite me valle popullore për orkestër simfonike,  Uverturë rinore për orkestër simfonike, Romancë për violinë e orkestër simfonike, Fantazi për fizarmonikë e orkestër simfonike .


Krijimtaria e tij mori vlera të tjera me muzikën e shumë filmave, të cilat i kompozoi gjatë viteve 70-80. Kryeveprat e kinematografise si: Cifti i lumtur, Zonja nga qyteti, Nje shoqe nga fshati etj, nuk do kishin vend të veçantë në historinë e kinematografisë tonë, pa kolonat zanore që shkroi për to Mjeshtri i madh – Agim Krajka.


Të gjithë e duan Agim Krajkën sepse ai kompozoi për të gjithë. Të gjithë e duan Agim Krajkën sepse krijimtaria e tij është skenë e madhe që bashkon artistë të melodisë e valles popullore, të kengës së lehtë moderne, sepse muzika  e tij është kinematografike e simfonike. E duan se ai i shkroi gjyshes, e duan se Agim Krajka është kompozitori i  rinisë. Agim Krajka është kompozitori i dashurisë.


7dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)