Është nxjerrë nga një ribotim italisht i vitit 1646 që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës. Libri titullohet: Portrete të 100 kapedanëve të shquar dhe bëmat e tyre në luftë të përshkruara shkurtimisht dhe të gdhendura nga Aliprando Capriolo.  Libri i Capriolos është botuar fillimisht në Romë, në vitin 1596 dhe nuk është i panjohur për studiuesit e Gjergj Kastriotit. Gravurat e librit origjinal janë bardhë e zi.


Por 50 vjet pas daljes së botimit të parë, duket se dikush vendosi ta ribotojë librin dhe ti stilizojë portretet, duke u shtuar ngjyra sipas fantazisë së tij. Në këtë Skënderbe me ngjyra, bereta alla carmagnola është e gjelbër, ndryshe nga e kuqja e ndezur në portretin e Gentile Bellinit ose në atë të Cristofano dellAltissimos që ruhet në Firence.


Në gravurën e Capriolos, Skënderbeu paraqitet si burrë shteti dinjitoz e fisnik, me pamje të urtë e të qetë, me tipare thjesht njerëzore dhe aspak të ekzagjeruara. Ngjyra i shton një dimension të ri përfytyrimeve tona, prandaj ky stilizim i gravurës origjinale të Skënderbeut mund të na ndihmojnë tia përafrojmë më shumë realitetit pamjen e tij, për të cilën ka një kërshëri të madhe.


Në të vërtetë, piktori ka punuar me mjaft durim, po të gjykosh nga detaji i pasur, dritëhijet e lëkurës, thellësia e figurës dhe kombinimi interesant i ngjyrave. Për këtë foto të stilizuar të Skënderbeut falenderoj mikun tim Bejtullah Destani, i cili e nxori nga koleksioni i Bibliotekës Kombëtare të Spanjës.


Në shënimin e Capriolos për Gjergj Kastriotin thuhet: Ky kapiten jashtëzakonisht trim ishte njeri trupmadh dhe me një forcë thuajse të pabesueshme; kishte fytyrë të ndezur ndërsa sytë, mjekrën dhe flokët i kishte ngjyrë gështenjë. (Era questo valorosissimo Capitano di persona grande, & di forza quasi incredibile; la carnagion hauea rubiconda; ochhi, barba, & capelli castagnicci.)


Në një pasazh tjetër të librit Skënderbeu përshkruhet kështu:  I sfiduar nga luftëtarë të famshëm të kampit armik, luftoi trup me trup dhe i shtriu të gjithë përtokë. Në një betejë, kur ishte duke vrarë kundërshtarin, u sulmua papritur nga një tjetër dhe ua mori jetën të dyve. Në beteja të ndryshme vrau me dorën e tij më shumë se dymijë armiq.


Ilir Ikonomi


6 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)