Histori arratisjesh, qindra vet që tentonin të kalonin kufirin shqiptar të blinduar nga diktatura, të rinj që rendindin drejt ëndrrës, e të tjerë që e paguan guximin e tyre me tortura burgjesh. “Rendja drejt ëndrrës...arratisja” ishte premiera e dokumentarit me skenar të Alida Cenes dhe Namik Ajazit, i cili ka bërë njëkohësisht regjinë, i shfaqur pasditen e së mërkurës në kinema “Milenium 2”. I ndërtuar mbi materiale arkivore, por edhe dëshmi të mbijetuarve, atyre që kishin tentuar arratisjen e nuk ia kishin dalë dot, ky dokumentar rreth 40 minuta është pjesë e një cikli të gjatë mbi problemet e emigracionit dhe emigrantëve shqiptarë kudo në botë që Ajazi e ka titulluar përkohësisht “Denjësisht shqiptar”. I realizuar si një bashkëpunim i “Mediavision” me TVSH-në, dokumentari rrokte kryesisht historitë mes viteve 55- 90. “Ne kemi zgjedhur historitë më domethënëse, ata që përfaqësonin grupe që kishin tentuar të kalonin asokohe kufirin. Janë kryesisht dëshmitarë që i janë gëzuar për pak lirisë dhe kalimit të kufirit, por që nuk kanë mundur ta çojnë deri në fund ëndrrën e tyre. Janë kthyer sërish në Shqipëri dhe kanë vuajtur tortura të rënda në burgje”, shprehet Ajazi. Xhirimet e dokumentarit kanë nisur që në vitin 2008 dhe kanë përfshirë një shtrirje të konsiderueshme gjeografike. Nisin nga Kukësi në Gjirokastër duke përfshirë edhe pjesën juglindore si Pogradeci e Korça për të përfaqësuar në ekran gjithë atë që quhej pjesa e paprekshme e kufirit tokësor e rrethuar e gjitha me tela me gjemba atje ku mundej dhe pjesën tjetër të kufirit ujor e ruajtur me shumë kujdes me prozhektorë, ushtarë e motoskaf. Ndërkohë që arkivat e Ministrisë së Brendshme, nën konsulencën e Kastriot Dervishit, i kanë shërbyer për të gjetur historitë dhe dëshmitarët, të cilët shënoheshin dit pas dite në relacionet që arkivoheshin në dosje. “Në arkivat e Ministrisë së Brendshme vërtetohej ajo që ne kishim dëgjuar: në vitin ‘89 presidiumi e përjashtoi arratisjen nga akuza për tradhti ndaj atdheut dhe e quajti shkelje kufiri që dënohej deri në dy vjet burg. Nisur nga kjo, një pjesë e madhe e të rinjve që e kishin ëndërruar lirinë, duke mos qenë shumë të sigurt se këtu po ndryshonin gjërat tentuan të iknin duke menduar që nuk do të kishin kalvarin e të tjerëve para tyre me burg të gjatë, hetuesi apo internime familjesh. Por instruksionet që u jepeshin komisarëve parashikonin që të goditeshin më fort. Shumica e atyre u vranë barbarisht dhe ne kemi sjellë dy histori të këtyre viktimave”, shprehet Ajazi. Dokumentari mbaron me këto histori të dhimbshme të të rinjve që u flijuan në emër të ëndrrës. Kalvari i arratisjeve u soll përmes zërit të aktorit Alfred Trebicka, drejtori i fotografisë është Arben Çeku, operatori i zërit Arben Meço, ndërsa montazhi është realizuar nga Dritan Dani.







18 Qershor 2010