Historia e një gruaje të dhunuar, si historia e dhjetëra grave që e kanë jetuar këtë dhunë në familje do të vijë nën interpretimin e aktoreve nga Kosova, në shfaqjen Copë copë. Nën regjinë e Zana Hoxha Krasniqit vepra do të ngjitet sot,(11 dhjetor) në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli.


Copë Copë është krijuar në vitin 2015 dhe është prezantuar tri herë në Prishtinë, një herë në Ferizaj dhe në Kukaj në EtnoFest ku është shpërblyer me tri çmime. Ndërsa në kuadër të turneut rajonal është prezantuar edhe në Gostivar në festivalin teatral Othelo, në Beograd në festival Mirëdita, Dober Dan, në Shkodër ne teatrin “Migjeni”, në Zagreb – Ditët e kulturës shqiptare dhe së fundmi në Tiranë.


Copë Copë bazohet në ngjarje të vërteta të grave në Kosovë; një grua, mbijetuese e dhunës në familje është edhe performuese në skenë së bashku me aktoret profesionale. Skena të dhunës në familje, martesës me dhunë, abortit me probleme shëndetësore, përdhunimit të një çifti lezbik dhe stigmatizimit lidhur me çështjet e adoptimit paraqesin format e ndryshme të dhunës ndaj grave në shoqërinë kosovare.


Në të njëjtën hapësire dhe kohë, aktoret dhe mbijetuesja gjejnë forcën dhe solidaritetin për tu përballë me realitetin dhe për të vazhduar përpara. Nën dramaturgjinë e Blerta Zeqirit në këtë vepër intepretojnë aktorët Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi and Bashkime Sulejmani.






























11 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)