I sponsoruar nga Ambasada e SHBA në Prishtinë, jazz kuarteti amerikan The Ryan Cohan Quartet filloi të martën një turne njëjavore nëpër qytetet e Kosovës. Pjesë e turneut do të jenë edhe disa ligjërata (takime pune) me muzikantë të rinj kosovarë.

Të martën mbrëma grupi interpretoi në Hamam Jazz Bar, në ‘after party’n’ e festivalit Skena Up, ndërkohë që të mërkurën, nga ora 11, do të mbajë një ligjëratë në Shkollën e Mesme të Muzikës, në Prishtinë.

Të enjten, nga ora, jazz kuarteti amerikan vazhdon me ligjëratë në Fakultetin e Muzikës (Universiteti i Prishtinës), nga ora 11 në Shkollën e Mesme të muzikës në Prizren, ndërsa nga ora 17, interpreton në Qendrën Kulturore të BE’së. Të premten, nga ora 10, grupi mbanë ligjëratë në Shkollën e Rockut në Mitrovicë (Veri), ndërsa nga ora 20 një koncert në ‘Sheshi 21’, në Prishtinë, në prani të ambasadores amerikan, Tracey Ann Jacobson.

Qëndrimin në Kosovë, kuarteti e përfundon në fundjavë, me një mini-koncert në Hotel Dukagjini, në Pejë (e shtunë, ora 20), dhe një tjetër në ‘Jazz Club 212’, në Prishtinë (e diel, ora 20).