Kantieri i ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit në Tepelenë është zgjeruar dhe shtrirë tashmë në të dyja anët e bregut të lumit Vjosa. Në grykën e ngushtë të Shkëmbit të Lunecit, aty ku shtrati i lumit Vjosa ngushtohet deri në 200-300 metra gjerësi, në vendin ku kanë nisur dhe vazhdojnë prej afro 5 vjetësh punimet për ndërtimin e digës së hidrocentralit të Kalivaçit. Kantieri, makineritë e rënda me ca rrota gjigande, shpërthimet e përditshme të minave, kanali i devijimit, diga e ngritur deri në gjysmë të gjerësisë së shtratit të lumit, lëvizja e pareshtur e njerëzve dhe mjeteve, mandej edhe prania e mensës së punëtorëve, të kujtojnë kantieret e dikurshme të ndërtimit të hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Komanit e Fierzës. Por ajo që e sjell më pranë atmosferën e dikurshme të kantiereve të zhurmshme të periudhës komuniste, është përqasja e çuditshme e dy kohëve me një fakt që mund të vërtetohet lehtë nëse lexon reportazhet e shtypit të asaj periudhe. Sa më lart ngrihet diga e hidrocentralit, sa më shumë afrohet koha kur liqeni do të transformojë pamjen e peizazhit të kësaj zone, aq më tepër gëlojnë legjenda dhe historitë e vendasve. Këdo që ndesh në mjediset e hidrocentralit në ndërtim orvatet të të sjellë një legjendë a një histori të vjetër. A thua se njerëzit nguten e tremben se mos ujët e liqenit të ardhshëm do të përmbysë dhe historitë e tyre?! Ndoshta...!!



Legjenda e rrugës së lashtë dhe e Urës së Nuses



Legjendën e parë na e sjell Hekuran Saliu, manovrues nga Memaliaj. Ai na tregon se nga Shkëmbi i Lunecit e deri te trupi i digës së hidrocentralit të ardhshëm, rreth 3-4 kilometra gjatësi, në krahun e majtë të rrjedhës së Vjosës janë të dukshme edhe sot gjurmët e një rruge të lashtë. Bëhet fjalë për një rrugë me kalldrëm. Gjurmët shkojnë deri në Dorëz. Mandej, afër Shkëmbit të Lunecit, ku rruga me kalldrëm guri zbret nga lartësi përmes disa kthesave të forta të mbështetura në mure mbajtës të ndërtuar me gurë të mëdhenj, ndodhen edhe disa rrënoja banesash të lashta. "Pikërisht atje, ku rruga ngjitet sipër Shkëmbit të Lunecit, edhe sot e kësaj dite disa njerëz bëjnë kërkime, nuk e di se ç‘dreqin kërkojnë, flori, ikona, skulptura?!", thotë Hekurani.



Mes një grupi të vogël manovruesish, që në momentin që ne shkuam aty ishin ulur sipër zallit të lumit dhe hanin bukë, Hekurani na tregon vendet se ku kalojnë gjurmët e rrugës së lashtë. Kolegët e tij, Brahim Xhaferi nga Kalivaçi, Foto Selmani nga Sevasteri, Klemend Manaj nga Ilirasi dhe Malo Jaupi nga Memaliajt, miratojnë dhe pohojnë rrëfimet e tij. Ndërsa historinë apo legjendën e Urës së Nuses, gjurmët e fundit të së cilës ne mundëm t‘i gjejmë dhe fotografojmë pak më vonë përfund këmbëve të Shkëmbit gjigand të Lunecit, na e rrëfeu Foto Selmani nga Sevasteri. "Nuk është ndonjë histori kushedi se çfarë. Ai (mesa duket e ka fjalën për protagonistin kryesor të legjendës) e kish kërkuar për nuse. Ata (ndoshta njerëzit e vajzës) nuk ia kishin dhënë dorën. Ai u doli përpara tek ura si trim dhe e rrëmbeu nusen nga duart e dhëndrit dhe krushqve. Kjo është e tëra. Që ahere i thonë Ura e Nuses, përfundon shpejt e shpejt versionin e tij të historisë së vjetër djaloshi nga Sevasteri, që porsa mbaroi rrëfimin, u ngjit sipër një fadrome me rrota gome jashtëzakonisht të mëdha.





Legjenda e qytetit-port dhe bunkerëve të drithit



Artur Sula nga Kalivaçi flet për legjendën e bunkerëve të drithit, për ekzistencën e një qyteti, për një port ku anijet vetëngarkoheshin me drithë nëpërmjet një ulluku të gdhendur në shkëmb. "Në majë të kodrës së lartë që ndodhet mbi grykën e Kalivaçit në të djathtë të rrjedhës së Vjosës dallohen lehtë rrënojat dhe gjurmët e qytetit të lashtë ilir. Qysh të vegjël jemi mësuar që atë vend ta quajmë "qytet", aty dallohen qartë radet ku lidheshin anijet dhe ulluku nëpër shkëmb ku rrëshqiste drithi për t‘u ngarkuar në anije. Sipër burimit me ujë të kthjellët të Gurrës së Kalivaçit, gjen edhe sot bunkerët e drithit. Janë të vendosur në shpella ku dallohen lehtë edhe vizatimet me gdhendje në shkëmb të njerëzve të lashtësisë".



Mandej, sipas tij, gjatë gërmimeve të kryera nga makineritë e rënda në faqen shkëmbore në të majtë të rrjedhës së Vjosës, midis kuotave 165-175 janë gjetur fosile guaskash dhe skelete të murosur peshqish dhe për ta bërë më bindëse historinë e tij, Arturi na njeh me Ferdinantin, një inxhinier italian që punon në kantierin e ndërtimit të hidrocentralit. Ferdinanti pohon se fosilet kanë shoqëruar vazhdimisht gërmimet.





Legjenda e eremitit të vetësakrifikuar së bashku me ikonën prej floriri



Por historia më e mahnitshme që tregojnë banorët e kësaj zone është ajo e një eremiti, i cili sipas gojëdhënave, shekuj më parë, kishte ardhur buzë Vjosës nga Vlora, me një ikonë floriri që peshonte 35 kilogramë dhe ishte strehuar në brendësi të shpellës që ndodhet në Shkëmbin e Lunecit pingul mbi rrjedhën e lumit. Sipas legjendës, pasi hyri në shpellë bashkë me ikonën, eremiti nisi të ndërtonte nga brenda një mur guri në grykë të shpellës. Kur arriti të mbyllë krejt hapësirën e grykës së shpellës, eremiti u mbyll brenda saj dhe vdiq aty i vetësakrifikuar. Kjo legjendë ka shërbyer si nxitje për të ndezur ethet e arit te disa nga të ardhurit me punë në këtë kantier, që duke përdorur mjetet e rënda të kantierit kanë kaluar nëpër rrugën e vjetër anës Vjosës për t‘iu afruar sa më pranë Shkëmbit të Lunecit dhe për të gërmuar rreth tij me shpresë se mos gjejnë ikonën e florinjtë të eremitit. Kalimi me mjete të rënda mbi rrugën e lashtë ka shkaktuar dëmtimin e plotë të kalldrëmit të vjetër dhe vetën disa nga muret anësorë mbajtës kanë mundur të ruajnë formën e tyre për të na dëshmuar ndoshta se pikërisht këtu, në anë të lumit të Vjosës, mund të ketë kaluar një nga arteriet e rrugës lidhëse të Kalasë së Matohazanajt me qytetin ilir të Bylisit. Sipas topografëve, pas përfundimit të digës dhe formimit të ujëmbledhësit të hidrocentralit, rruga e vjetër do të mbulohet nga ujërat e liqenit.





Legjenda e princit romak në "qytetin" ilir?!



Një legjendë tjetër që lidhet me "qytetin" e lashtë të Kalivaçit e që përcillet si çdo legjendë tjetër këtu, është ajo e një princi romak, që pasi vdiq dhe më pas i ngordhi qeni i tij besnik te këmbët, gruaja e dhembshur dhe besnike nga hidhërimi u mbyt në rrjedhën e lumit Aos (Vjosa e sotme). Vendasit e lidhin historinë e princit romak me toponimin Donia të vendit ku ka nisur të ngrihet diga e hidrocentralit. "Vendit këtu i thonë Donia. A nuk i thonë italianët "dona" gruas!? Këtu ku u vetëmbyt gruaja e princit romak i mbeti emri Donia", thotë një nga kalivaçiotët që punon si kuzhinier në mensën e punëtorëve.





Fundi i legjendës së Lundrës së Kalivaçit



Me sa duket, historia e Lundrës së Kalivaçit do të mbetet edhe legjenda e fundit e kësaj zone të mbushur me histori të pabesueshme. Një mjet lundrimi krejt primitiv, që vendasit e quanin Lundra e Kalivaçit, ishte një barkë e thjeshtë hekuri, e ndërtuar nga ushtarët italianë qysh vitin 1939 dhe që ishte mjeti që lidhi për rreth 75 vjet dy brigjet e Vjosës deri pak muaj më parë, tani nuk është më në punë. Në vend të saj është ndërtuar një urë provizore që nuk është gjë tjetër veçse një shtresë e trashë betoni e derdhur mbi 10-15 tombino me diametër 5-6 metra. "Fillimisht nuk besuam se kjo urë e improvizuar do t‘u rezistonte ujërave të rrëmbyeshme të Vjosës, por tani që dimri u thye dhe ditët me ujëra të fryra të Vjosës kaluan, u bindëm se kjo urë është e fortë dhe do t‘i rezistojë Vjosës deri sa të përfundojë diga, se më pas sikurse na thonë inxhinierët, projekti parashikon që rruga automobilistike të kalojë sipër trupit të digës", thotë Arturi. Megjithatë, vendasit, nuk ndahen dot nga imazhi i lundrës së tyre që mund ta konsiderojmë si legjendën e fundit që përmbyti diga ende e papërfunduar dhe liqeni që për këtë shkak ende nuk është formuar si liqen. Jeta e banorëve në të dyja anët e Vjosës ishte e lidhur me Lundrën e Kalivaçit. Ajo u shërbente kryesisht banorëve të dy komunave përtej Vjosës, Komunës së Lopësit, që përfshihet në Rrethin e Tepelenës dhe Komunës së Sevasterit, që administrativisht përfshihet në Rrethin e Vlorës. Banorët e Dorzës, Sinanajt, Dhëmblanit, Matohasanajt, Mazharit, Shkozës, Sevasterit, Plloçës, Vajzës dhe shumë fshatrave përtej Vjosës kalonin sipër varkës së vjetër, duke shkurtuar 40 deri në 60 kilometra rrugë automobilistike. Në të gjithë gjatësinë e rrjedhës së Vjosës, në territorin e Tepelenës, ka pasur edhe një lundër në fshatin që disa e quajnë Anëvjosë dhe të tjerë, Shehaj, që përfshihet në Komunën e Qesaratit, por ajo nuk kishte kapacitetin e Lundrës së Kalivaçit që transportonte në një kalim 15-20 persona, pasi me të mund të kalonin ujërat e frikshme të lumit vetëm 3-4 udhëtarë.





Shpërthimet e hidrocentralit rikthejnë frikën te banorët e Dhëmblanit



Jo shumë larg nga kantieri i hidrocentralit, ndoshta 4-5 kilometra në jug të tij, gjenden fshatrat Sinanaj dhe Dhëmblan. Shpërthimet e shpeshta që ndodhin në kantier rikthejnë te banorët e kësaj zone imazhin dhe frikën e shpërthimit të predhave që ndodhi më 7 maj të vitit 2006 në fshatin Dhëmblan ku humbën jetën dy ushtarakë. "Nga shpërthimet e ndodhura humbën jetën nënoficeri nga Berati Namik Gjolena dhe ushtari nga Dhëmblani Adrian Hanaj. "Kur dëgjojmë shpërthimet e minave na duket sikur e njëjta hata do të na përsëritet. Sidomos fëmijët tremben shumë", thotë Xhemal Kacorri nga Sinanaj. Banorët e fshatrave Dhëmblan, Sinanaj e Matohasanaj të Komunës së Lopsit nuk mund të harrojnë lehtë. Ende sot, pas dy vjetësh, nuk u largohen nga memoria imazhet e shpërthimeve. "Aq shumë trembemi sa që edhe kur fluturon ndonjë dallëndyshe sipër kokave tona, na duket sikur është predhë, thotë Xhemali.





Liqeni nuk i përmbyt dot legjendat



Dëgjuam shumë legjenda në Kalivaç. Gojëdhëna dhe fantazi njerëzore të çuditshme! Largohemi nga kantieri i Kalivaçit, ku njerëzit që punojnë nuk lodhen as së rrëfyeri plot energji legjenda e histori nga më të padëgjuarat për të shkuarën dhe të parët e tyre. Por nuk dyshojmë aspak se ujët e liqenit të ardhshëm do të mund të përmbytë rrëfenjat e tyre, të vërteta dhe të imagjinuar. Këtyre rrëfenjave, gojëdhënave të ardhura nga brezat e mëparshëm, historive të vjetra dhe fantazive të reja, kushedi (!?) ndoshta një ditë do t‘u bashkohen këto rrëfenjat e sotme me shpërthime si ato të Dhëmblanit apo Gërdecit, e pastaj edhe këto ngjarje të vërteta do të ngjajnë të pabesueshme, si legjendat që dëgjojmë sot nga e shkuara...