TIRANË- Aktorët Gazmend Gjoka, Arben Derhemi dhe Niada Saliasi do të sjellin për publikun mbremjen e së shtunës, në Akademinë e Arteve, komedinë e Woody Allen "Riverside Park", histori e një takimi për marrëdhëniet njerëzore.

Komedia nën regjinë e Milto Kutalit, është shkruar nga dramaturgu Woody Allen jo shumë vite më parë, në 2003, por sipas regjisorit Kutali, ajo i përshtatet çdo mjedisi social dhe gjithkush gjen veten.

Ngjarjet zhvillohen në vitin 2003 në Riverside Park, në Manhatan, ku tre njerëz, një njeri me famë, i martuar, dhe e dashura e tij dhe një tjetër që ka prekur njëherë humnerën, takohen. Xhimi, një skenarist që ka bërë emër të madh dhe para, ka lënë një takim në Riverside Park dhe aty takohet me një barbon, Fredin, i cili e akuzon për vjedhjen e skenarit të filmit që ka pasur sukses "Udhëtimi".

"Riverside Park” është projekt i "Qytetit të Arteve" dhe do të vijë me skenografi të Ilir Martinit dhe muzikë të Endri Sinës. Komedia do të shfaqet në datat 23 dhe 24 prill, në sallën e madhe të Akademisë së Arteve.
(e.m/ata/BalkanWeb)