Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili pritet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni total, do të marrë përmasat e një muzeu modern me standarde të larta. Ky riorganizim ka sjellë edhe një herë në vëmendjen e specialistëve debatet e kahershme mbi administrimin e pasurisë arkeologjike, për të cilën ka vuajtur e ka akoma vështirësi Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Durrësit, në varësinë e së cilës është ky muze. Specialistët komentojnë dhe japin idetë e tyre mbi statusin që duhet të marrë ai


Muzeu Arkeologjik i Durrësit, më i madhi i kësaj natyre në Shqipëri, po i nënshtrohet një rikonstruksioni total, ashtu siç i ka hije një muzeu të të tilla përmasave. Me gjithë rëndësinë e objekteve arkeologjike, por edhe të vetë historisë që përfaqëson, ky muze nuk e gëzon më as statusin e një institucioni prej vitit 2008, për shkak të reformës për kërkimin shkencor. Prej dy vitesh ai gjendet nën varësinë e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Durrësit. Me këtë rikonstruksion total, ku parashikohet që muzeu arkeologjik të marrë përmasat e një muzeu modern në të gjithë parametrat e tij, ngrihet pyetja nëse kjo drejtori rajonale do mund të gëzojë të gjithë personelin e duhur për të qenë në të njëjtat standarde me godinën në fjalë. Mendimet e specialistëve janë nga më të ndryshmet. Pika mbi të cilën ata mbështeten dhe që e konsiderojnë më të rëndësishme, është fakti që ky muze arkeologjik t’i kthehet idesë fillestare të krijimit të tij, pra të kthehet në një muze kombëtar. “Ky muze, qëkur është konceptuar nga Vangjel Toçi dhe nga mbështetja që ka pasur për vite me radhë nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga Akademia e Shkencave që në fillim, është menduar si muze kombëtar. Duke qenë në një qytet si Durrësi e mbi të gjitha për atë se çfarë ka përfaqësuar ky qytet në gjithë historikun e vet, e meriton që ta ketë këtë muze kombëtar”, thekson arkeologu Adi Anastasi. Ndërsa Frederik Stamati, shefi i laboratorit të konservimit dhe arkeometrisë, i cili ka restauruar një pjesë të mirë të objekteve në këtë muze, do të ishte mirë që muze të përmasave të tilla të jenë njësi më vete shkencore, pavarësisht se në drejtimin e kujt do të jetë. “Rikompozimi apo rikonstruktimi që po i bëhet Muzeut të Durrësit, po bëhet me qëllimin e hapjes së një dritareje të re, e cila do të jetë një shikim bashkëkohor i gjithë kësaj trashëgimie të pasur kulturore”, thotë Luan Përzhita, specialist i periudhës së Mesjetës në Institutin e Arkeologjisë. Edhe për këtë të fundit nuk ka rëndësi se nga kush do të varet ky muze, e rëndësishme për të është që ky muze arkeologjik të rifitojë çka ka humbur në vite.


Adi Anastasi
Arkeolog, specialist i arkeologjisë nënujore
Sipas arkeologut Adi Anastasi, e rëndësishme në gjithë këtë ndërmarrje të riorganizimit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit është fakti që ai duhet të fitojë statusin e një muzeu kombëtar.
“Pse duhet që të jetë muze kombëtar? E para sepse është një ndër muzetë më prezantues, më serioz e më të mëdhenj të arkeologjisë që ka vendi ynë. është një nga më të mirët në nivel ballkanik, dhe për këtë e meriton që të jetë muze kombëtar. Ky muze, qëkur është konceptuar nga Vangjel Toçi dhe nga mbështetja që ka pasur për vite me radhë nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga Akademia e Shkencave që në fillim, është menduar si muze kombëtar. Duke qenë në një qytet si Durrësi, për atë se çfarë ka përfaqësuar ky qytet në gjithë historikun e vet, e meriton që ta ketë këtë status. Durrësi ka një shtresëzim të kulturave të tij, duke filluar që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Ai është ndërtuar dhe është ngritur, është prishur e rindërtuar, është zhvilluar gjithmonë në të njëjtën sipërfaqe, e kjo ka penguar që Durrësi të ketë i pari një park të madh arkeologjik kombëtar, siç e kanë Bylisi, Apolonia apo Butrinti, dhe e dyta pikërisht për këtë arsye meriton që të ketë të paktën një institucion të mirëfilltë të një niveli kombëtar gjithmonë të lidhur me arkeologjinë. Sipas mendimit tim, duke pasur këtë muze kombëtar, Durrësi duhet të hapë edhe një debat mbi rolin që ka sot muzeu në Shqipëri. Pra muzeu do të jetë thjesht një sallë ekspozimi, apo do të jetë një muze i cili duhet të mbajë sipër vetes edhe përgjegjësi që mund të lidhen dhe me kërkimin shkencor. Gjithë ajo problematikë që ka Durrësi mbi administrimin e pasurisë arkeologjike, për të cilën ka vuajtur e ka akoma vështirësi Drejtoria Rajonale e Durrësit, ky muze duke u kthyer në kombëtar, do të kishte mundësi që të ishte një pjesë lëvizëse në aspektin edhe të kërkimit shkencor, por edhe të tutelës që mund të luante për këtë problematikë. Ky muze arkeologjik, nëse do të kthehej në kombëtar, do të ishte një pikënisje mjaft e mirë për të thënë fjalën e vet në arkeologjinë nënujore. Të kthehej në protagonist, ashtu siç ka qenë në themelimin e vet, një qytet i cili e integroi të gjithë këtë hapësirë që ne sot e quajmë Shqipëri, në kulturën mesdhetare. Do të bëhej shumë mirë një rikthim në këtë drejtim dhe të kishim një institucion i cili të na përfaqësonte. Me sa kam kuptuar unë, njerëzit sot, ose kush bën reformat, ka vështirësi të hapë mendimet e veta në lidhje me institucionet e pavarura serioze, me njerëz kompetentë. është një problem i madh ky në Shqipëri”.


Frederik Stamati
Shef i laboratorit të konservimit dhe arkeometrisë
Muzeu Arkeologjik i Durrësit, me këtë riorganizim, falë fondit të çelur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duhet të jetë njësi më vete shkencore, të ketë stafin e vet shkencor dhe administrativ. Kështu e mendon Frederik Stamati, shefi i laboratorit të konservimit dhe arkeometrisë, atë se çfarë duhet të ndodhë me rikonstruksionin. “Rreth viteve ‘80, muzeu i Durrësit kishte laboratorin e vet të restaurimit, grupin e arkeologëve e të specialistëve etj. Më pas kaloi në varësi të Akademisë së Shkencave e konkretisht në varësi të Institutit të Arkeologjisë. Më vonë kaloi në varësi të Ministrisë së Kulturës, më saktë në varësi të Ateliesë së Monumenteve në Durrës. Ka mendime të ndryshme lidhur me mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Unë gjithnjë për muzeun e Durrësit kam bërë një krahasim të tillë: kur e kishte Vangjel Toçi në drejtim, aty edhe në muajin dhjetor kishte lule, pastaj kur kaloi në varësi të Institutit të Arkeologjisë, kullosnin bagëtitë. Për mua personalisht këto muzeume që janë të mëdha, duhet të jenë njësi më vete shkencore. Të kenë fondin e tyre, grupin e punës për studimin, ekspozimin e organizimin aktiviteteve të ndryshme, si dhe për mirëmbajtjen e vazhdueshme të objekteve. Muzeumet qendrore, siç është ky i Durrësit, duhet të jenë qendra shkencore më vete, të kenë stafin e tyre shkencor dhe administrativ. Muzeu Arkeologjik i Durrësit vazhdoi në gjendje të mjerueshme për gjithë këtë kohë, sepse asnjëherë nuk ka pasur fonde të mjaftueshme për ta përfunduar atë. Megjithatë bëhet fjalë për një muze ku është tentuar për të bërë diçka të bukur, për ta bërë më modern, edhe pse unë mendoj se mund të paraqitet akoma edhe më tërheqës”.


Luan Përzhita
Specialist i Mesjetës tek Instituti i Arkeologjisë
Për Luan Përzhitën, specialist i periudhës së Mesjetës në Institutin e Arkeologjisë, nuk ka rëndësi se prej cilit institucion do të varet Muzeu Arkeologjik i Durrësit, e rëndësishme për të është që rikompozimi të jetë bashkëkohor dhe i niveleve të tilla që të jetë tërheqës për vizitorët. “Me sa jam në dijeni unë, ai do të jetë një muze kombëtar arkeologjik, pavarësisht nga varësia, sepse muzetë arkeologjikë tani do të varen nga Ministria e Kulturës, jo siç ka qenë dikur, nga Instituti i Arkeologjisë. Në të gjithë sistemin europian e mesdhetar, muzeumet janë pjesë e strukturës së Ministrisë së Kulturës, nuk është se janë pjesë e institucioneve të tjera. Në këtë kuadër, Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe muzetë e tjerë, siç është ai i Butrintit dhe i Apolonisë, që do të rikompozohet së shpejti, do të jenë tre muze VIP të arkeologjisë shqiptare. Mes tyre, muzeu i Durrësit do të ketë vendin e parë në këtë strukturën e re që do të realizohet si një ndër muzetë që do të pasqyrojë me dinjitet të gjithë trashëgiminë kulturore të këtij qyteti kaq të rëndësishëm. Rikompozimi apo rikonstruktimi që po i bëhet muzeut të Durrësit, po bëhet me këtë qëllim: të hapjes së një dritareje të re, e cila do të jetë një shikim bashkëkohor i gjithë kësaj trashëgimie kulturore. Me sa di unë, atje ka pasur pengesa edhe të karakterit ndërtimor, që kufizojnë pak a shumë edhe bukurinë e objekteve që do të paraqiten në këtë ekspozitë të muzeut. Për sa i përket periudhës në të cilën po kryhet ky rikonstruktim i muzeut, unë mendoj se nuk është i vonuar, sepse muzeu tani shikohet në kompleksitetin e tij. Nëse më përpara është bërë një muze që është punuar me faza, tani ai shihet në kompleks, së bashku me godinën, që është një ndërtim i viteve ‘80. Kjo godinë i përshtatet shumë pak një ambienti muzeal, aq më tepër që krijohen vështirësi se ky muze është afër detit dhe ka pasur probleme edhe në përbërjen e jodit e të kripës e lagështirës, gjë që ka sjellë edhe dekompozimin e mureve e fasadës së godinës. Ky rikompozim do të krijojë një ambient të ri tepër estetik e komod për vizitorët që do të vijnë së shpejti në këtë muze”.








#