Gjatë muajit shtator, mik në Rezidencën letrare “POETEKA Tirana in Between” është përkthyesi dhe poeti slloven Gaper Malej. Kjo rezidencë, që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit europian për letërsinë dhe librat TRADUKI, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendas. Gaper Malej lindi në vitin 1975, në Koper, Slloveni, qytet ku dhe jeton e punon. Në vitet 2004 dhe 2009 ai botoi dy librat e parë në gjuhën sllovene: Otok, slutnje, poljub (Ishull, paralajmërime, një puthje) u propozua për çmimin “librit të parë më të mirë në Slloveni”. Pas tij erdhi libri Rezi v zlatem, nëërkohë që gjatë vitit 2017 ai ka bërë gati për botim edhe librin e tij të tretë me titull Pod to celino (Nën këtë kontinent). Poezia e Gaper Malej u përkthye që herët dhe me përhapje të gjerë, në njëzet gjuhë të huaja, duke u përfshirë në disa prej antologjive të botuara në Slloveni dhe jashtë saj. Falë kësaj njohjeje ai u ftua të merrte pjesë në shumë festivale letrare në Europë dhe në botë, mes të tjerësh në festivalin e Poezisë në Pekin, në Nikaragua apo në Kolumbi. Ai është ftuar të bashkëpunojë gjithashtu edhe në atelie të shumta për poetë dhe përkthyes letrarë, ku ushtrohen teknikat e shkrimit krijues dhe të përkthimit letrar.


Për krijimtarinë e tij Gaper Malej është vlerësuar shpesh me çmime. Në vitin 2008 ai u nderua me Grantin e Ministrisë së Kulturës së Sllovenisë për autorë të shkëlqyeshëm të letërsisë, çmim ky që në vitin 2016 vijoi me Grantin e Agjencisë Sllovene të Librit (JAK) për autorë të shkëlqyeshëm të letërsisë. Po ashtu edhe në vitet 2007, 2010 dhe 2015 ai u nderua me çmime e grante pune nga Organizata Sllovene e Përkthyesve Letrarë. Për meritat e punës së tij si përkthyes, në vitin 2011 Gaper Malej u nderua me çmimin prestigjioz Zogu i Artë për përkthimin e romanit P. P. Pasolini-t Petrolio. Në vitin 2016 atij iu dha edhe një çmim i veçantë kombëtar për përkthim, akorduar nga Ministria Italiane e Kulturës dhe Turizmit.


Përveç çmimeve dhe nderimeve letrare, në vitet 2013 dhe 2016 Gaper Malej fitoi bursën për qëndrim njëmujor në Ventspils (Letoni) si autor në Rezidencën për Shkrimtarë dhe Përkthyes. Në qershor të vitit 2015 ai ishte i fuar në Rezidencën e Shkrimtarëve në Vjenë, mbështetur nga Ministria Sllovene e Kulturës dhe në dhjetor të vitit 2016 ai fitoi të drejtën për të qëndruar në rezidencë pranë Qendrës Baltike për Shkrimtarë dhe Përkthyes (Visby, Suedi).


Pas krijimtarisë poetike, veprimtaria kryesore e Gaper Malej është përkthimi i fiction dhe non-fiction bashkëkohor italian, ku përfshihet poezia, narrative, drama, esetë etj.


Bibliografia e përkthimeve të tij nga gjuha italiane në atë sllovene është mjaft e pasur dhe përfshin rreth 30 libra të zhanreve të ndryshme. Krahas këtyre janë edhe mbi 150 përkthime të shkrimtarëve sllovenë, të cilët janë botuar në revista letrare, në gazeta si dhe janë lexuar në Radion Kombëtare. Ai ka përkthyer edhe pjesë për teatër.


Gaper Malej është gjithashtu një nga anëtarët-themelues dhe, prej vitit 2009, është edhe kryetar e redaktor ekzekutiv i KUD AAC Zrakogled – një shoqatë kulturore jofitimprurëse me qendër në Koper, e cila që nga viti 2011 boton serinë “Helia”, kushtuar përkthimit të librave fiction të autorëve bashkëkohorë të Mesdheut, të tillë si D. Drndi, N. Milani, F. Ebejer, Z. Zateli, JJ Millas, J. Nikolaidis, D. Velikiq, N. Fabrio.


Ndër autorët italianë të përkthyer prej Gaper Malej përmenden Dino Campana, Cesare Pavese, P.P.Pasolini, Paolo Ruffilli, F. T. Marinetti, Dario Fo, Antonio Tabucchi etj.


26 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)