Nga Mero Baze

E pashë dje Fatmir Mediun se si i “kërkoi publikisht” Sali Berishës fjalën e nderit që në mandatin tjetër të kujdesej për pronarët. Me patetizmin e tij që i rrjedh gati si urinim i pavullnetshëm, ai e vuri kryeministrin Berisha në një nga skenat më të sikletshme të jetës së tij politike. Iu desh që të merrte pjesë në një Kuvend të republikanëve, të dëgjonte Fatmir Mediun, dhe t’i bindej “kërkesës së tij publike”. E gjithë kjo rëndësi që iu kushtua zotit Mediu, në të vërtetë nuk reflekton rëndësinë e tij, por pafuqinë e Berishës për ta kundërshtuar çdo marrëzi të zotit Mediu, tanimë që e ka marr peng te historia e Gërdecit dhe përfshirja e djalit të tij në atë histori. Ky sukses i padiskutueshëm i Fatmir Mediut, i cili sot arrin të komandojë kryeministrin më të fuqishëm të këtij vendi për vite me radhë, është treguesi real se peng i kujt është ky shtet. Dhe për ta kuptuar se peng i kujt është, le të përpiqemi të kuptojmë kush është Fatmir Mediu.



***



Ashtu si nuk të mbetet asgjë në mendje nga fjalimet e tij politike, ashtu dhe nga jeta e tij askush nuk ndan dot diçka që të ketë shkëlqyer apo të ketë qenë shumë e keqe. Ai filloi studimet në vitin 1985 për inxhinier shpimi në degën e naftës, në një klasë jo shumë të disiplinuar studentësh. Klasa e përbërë kryesisht me studentë nga Fieri, Vlora dhe Berati, të gjithë meshkuj, i përshtatej profilit të degës ku studionin. Të dhunshëm në dukje, grupi i tij filloi të bjerë në sy për njëfarë uniteti përballë disiplinës dhe rregullave të fakultetit. Lidhjet e tyre të forta me njëri-tjetrin dhe fryma e të vepruarit në grup u ruajt shumë gjatë dhe e ka ndjekur pas karrierën e zotit Mediu. Vetë Fatmiri nuk kishte rënë kurrë në sy për të qenë i pari. Mbaroi fakultetin në qershor 1990 dhe u emërua inxhinier në Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës, Patos. Disa muaj pasi kishte filluar punë, në Shqipëri u shpall pluralizmi politik. Lidhjet e para të Mediut me republikanët u krijuan për rrethana fare aksidentale.


Sabri Godo, dhëndër i familjes Vrioni, gjeti te rekomandimi për Fatmir Mediun njeriun e duhur praktik që merrej me të gjitha punët e vogla që duhet të kryente dikush në Fier për të dhe familjen e gruas së tij. Mediu i hyri shpejt në zemër, jo vetë me rrjetin e shokëve që krijoi dhe ia vuri në dispozicion, por dhe me prakticitetin e zgjidhjes së problemeve.


Në atë kohë Mediu afrohet shumë përmes “grupit të kosovarëve” me Partinë Demokratike në Fier. Një prej tyre, Viktor Margilaj, i cili u bë më vonë prefekt i Durrësit, ishte një nga miqtë më të afërt të Fatmirit.


Pas Kongresit të Partisë Republikane në vjeshtë të vitit 1992, Mediu emërohet nga Sabri Godo nënkryetar i Partisë Republikane. Afrimi i Mediut pasoi spastrimin e parë brenda republikaneve dhe largimin prej partisë të Vangjush Gambetës dhe Hysen Çobanit si krah radikal që kërkonin program të qartë konservator të PR. Megjithëse u emërua në Tiranë, Mediu qëndroi dhe për një kohë në Fier.


Në fillim të vitit 1993 mbërriti në Tiranë. Sapo mbërriti në kryeqytet, ai nisi përpjekjet për t’u afruar me grup pushteti brenda PD dhe arriti të krijojë kontakte të mira në atë kohë me ish-ministrin e Brendshëm, Musaraj dhe kryeministrin, Meksi. Në përpjekje për ta përdorur lidhjen me këtë grup për t’iu imponuar Partisë Republikane, Mediu i fuqizoi dukshëm pozitat. Republikanët shfaqnin herëpashere rezerva ndaj qeverisë dhe Mediu ishte ura që i bashkonte. Përmes tij zgjidhnin problemet me shtetin, por nga ana tjetër Mediu zgjidhte gjithë problemet e tij. Ndërkohë, disa grupe kriminale që filluan të lulëzonin në Berat, Fier dhe Vlorë kishin te Mediu një mediator të shkëlqyer që i çonte atje ku duhej problemet e tyre.


Kështu, Mediu nisi të ndikojë dhe në kryesitë e degëve të PR në këto zona, sidomos në degën e Beratit dhe Fierit.


Në zgjedhjet e vitit 1996 Mediu kandidoi në Fier. Brenda PD lufta mes grupit të Meksit dhe Berishës ishte e ashpër. Berisha kishte kandiduar rivalët e vet në zona të jugut për të humbur. Fatmir Mediu ishte i pari kandidat që denoncoi dhunën në zgjedhje duke i paraprirë tërheqjes së socialistëve më 26 maj. Mediu denoncoi zgjedhjet dhe i braktisi ato në mesditë.


Marrëdhëniet e tij u acaruan me PD zyrtare të Berishës, por nga ana tjetër ai ruajti një pozicion të tërhequr më pas. Pasi socialistët erdhën në pushtet, Mediu tentoi të afrohej fort me ta.


Përpjekja e tij për të bërë të njëjtin rol si me PD, që t’i imponohej Partisë Republikane përmes lidhjeve me pushtetin, vazhdoi.


Kunati i tij, Ilirian Celibashi, u emërua zëvendësministër i Brendshëm dhe shërbente si lidhje mes Mediut dhe grupeve që e mbështesnin atë në pellgun Berat dhe Fier.


Kryeministri, Fatos Nano, e mbajti larg personalisht, por e ndihmoi atë më pas për t’i shpëtuar burgosjes në Itali.


Në vitin 1998, Mediu nisi përpjekjet për të përtërirë PR. Por asgjë nuk funksionoi. Ai afroi Lajla Përnaskën dhe Mirela Bogdanin, por brenda një viti ato u larguan përsëri. Duket se ata që i ngjisnin më shumë ishin njerëzit problematikë.


Gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në qershor të 1998, në Shijak, ai kishte kandidat Klement Zgurin. Ai u afrua ndjeshëm me atë që më vonë u bë epiqendra e bandës së Shijakut. I lidhur ngushtë me figurat kryesore problematike të këtyre grupeve, ai filloi të bëhet njeri i pushtetshëm në Shijak. Këto grupe dhe lidhjet e tyre nuk kishin ndonjë besnikëri politike. Për të qenë luajalë me të gjitha palët, ata u vetëquajtën “republikanë” dhe kanë qenë problem i çdo palë zgjedhjesh në Shijak.


Në zgjedhjet e vitit 2000 dhe 2001 i përdori Agron Duka. Fleksibiliteti lidhej me të qenit e tyre “republikanë”, pra pakicë që shkonte sa me një palë me tjetrën.


Në vitin 1999, Mediu tentoi të hiqte qafe autoritetin e Sabri Godos. Iu afrua ndjeshëm Genc Pollos dhe i vuri atij në dispozicion gjithë lidhjet e veta të dyshimta.


Në përpjekje për t’i bërë opozitë Berishës, Pollo kishte nevojë për njerëz, pará dhe lidhje në gjithë vendin. Fatmir Mediu i kishte të gjitha këto. Nën sponsorizimet e këtyre grupeve të dyshimta, Pollo u divorcua me Berishën dhe filloi të udhëtojë drejt SHBA me Mediun në emër të “politikës së re” në fillim të viteve 2000.


Mediu e shoqëroi në Dallas te miqtë e tij, Xhimi dhe Nazar Mehmeti (Nick). Nazari është një shqiptar nga Struga me origjinë nga Devolli, një biznesmen i suksesshëm në Dallas, pronar i katër klubeve striptizmi.


Xhimi, një biznesmen amerikan, mik i Nazarit, e afroi Mediun me drejtues të Mëngjesit të Lutjeve në Uashington. Më pas lidhjet e Mediut me ta u forcuan dhe Mediu u bë rekomandues i ftesave të tyre në rajon. Disa muaj më parë ky biznesmen privatizoi INSIG dhe ishte njeriu që u mor privatisht me axhendën e Berishës dhe Mediut në Uashington.


Këto lidhje Mediu ia vuri në dispozicion Genc Pollos kundër Berishës në vitin 1999 në udhëtimin drejt SHBA. Por jo të gjitha gjërat po i shkonin mirë. Gjatë një udhëtimi për në Milano me vëllanë e Gazmend Mahmutajt, nga Berati, në atë kohë kryetar i Forumit Rinor Republikan, policia e ndaloi, pasi Mahmutaj kërkohej për katër vrasje dhe trafik droge. Mediu i kishte nxjerrë një pasaportë me emër tjetër, duke përdorur shkresë nga Partia Republikane.


Gjykata e Milanos e dënoi Fatmir Mediun për krimin e parashikuar, sipas nenit 309 të Kodit Penal italian duke bashkëpunuar në krim, për të shfrytëzuar prostitucionin. Gazmend Mahmutaj ishte dënuar në Itali me dhjetë vjet burg, ndërsa Mediu u kap duke e ndihmuar atë të kalonte transit përmes Italisë në Strasburg si pjesë e një delegacioni shqiptar për të marrë pjesë në një konferencë mbi krimin e organizuar thirrur nga Parlamenti Evropian. Pra, ironia ishte e plotë. Mediu po përdorte autoritetin e shtetit shqiptar për të toleruar një person në kërkim.


Ai e kishte ndihmuar Gazmend Mahmutajn të nxirrte një pasaportë me emrin Raqi Gjoni dhe duke u përpjekur me ndërgjegje të plotë t’i bindte autoritetet kufitare për këtë identitet. Pas kësaj Mediu u ndalua në aeroportin e Malpensës në Milano. Ai u ndoq më pas përmes ndërhyrjeve politike në gjykim të lirë, derisa Gjykata e Milanos vendosi ta dënojë me tre vjet burg. Pra, kryetari i republikanëve shqiptarë u dënua me tre vjet burg nga Gjykata e Milanos.


Në vitin 2003, Mediu e apelon këtë vendim, po përsëri gjykata vendos që ai të dënohet me tre vjet burg dhe pesë vite ndalim të veprimtarisë publike. Në dosjen e gjykatës, siç mund ta shihni, rezulton i arratisur për drejtësinë italiane.


Çështja u bë shumë e mprehtë në Shqipëri, pasi Mediu ishte tanimë një politikan në kërkim. Këtë shans duket se e shfrytëzoi në atë kohë kryeministri, Fatos Nano. Ai toleroi ndihmën shtetërore për të shmangur vuajtjen në burg të Fatmir Mediut. Kështu, ai angazhoi zyrtarisht struktura të Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Një avokat i shquar italian, ish-numri dy i Antimafies italiane, Maritati, u angazhua për lirimin e tij në Gjykatën e Lartë italiane. Ndihmësi shqiptar i Maritatit ishte gjyqtari shqiptar, Besnik Imeraj, tashmë anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe gjyqtar i çështjes së zotit Mediu, ndërsa ndërmjetës zyrtar i tij Adrian Visha, tashmë avokat i zotit Mediu. Kjo lidhje e ngushtë e arritur përmes kunatit të Fatmir Mediut, Ilirian Celibashi, funksionoi dhe Mediu ngeli një opozitar peng i qeverisë së Fatos Nanos.


Por, pavarësisht “sagës kriminale” të Fatmir Mediut, ai vazhdonte jetë aktive politike në koalicion me Sali Berishën.


Në vitin 2001 ai ishte pjesë e koalicionit “Bashkimi për Fitore” dhe u bë deputet i parlamentit shqiptar duke qenë pjesë e listës së PD.


Raportet e tij me Berishën ruajtën zhvillime konstante deri më 2005. Pas vitit 2005 ai u përfshi në qeverinë Berisha si ministër i Mbrojtjes. Ai aktivizoi menjëherë lidhjet e tij të dyshimta në gjithë vendin. Kështu, vëllai i të ndaluarit në Itali për trafik u emërua drejtor i uzinës së armëve në Poliçan, një i afërm i njerëzve të tij në Fier, me mbiemër Kajolli, u emërua shef i Administratës së Ministrisë së Mbrojtjes, motra e biznesmenit Nazar Mehmeti u emërua drejtoreshë e botimeve në ministri, vetë Mediu u përfshi menjëherë përmes një lidhjeje të tij në Berat në ndërtimin e spitalit privat në mjediset e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Aksionet e veta i kaloi në emër të Nik Mehmetit, ndërsa përfaqësinë noteriale për të e kishte motra e vet, notere.


Mediu ndihmoi po ashtu këtë grup të privatizonte INSIG dhe vetë u përfshi i tëri në historinë e lobimit të kontratës së Gërdecit.


Së bashku me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha, ata ishin ideatorët e këtij projekti ogurzi. Që në mbledhjen e parë të qeverisë në shkurt të vitit 2007, Mediu çoi propozim direkt që qeveria të lidhte kontratë me një kompani amerikane, SAC, për demontimin e fishekëve. Arsyetimet e Mediut në mbledhje rrezatojnë tërësisht mentalitetin e tij ordiner dhe antishtetëror. Ai flet si një njeri i rrugës në një mbledhje qeverie, duke përdorur shprehje të tilla si: “Unë s’kam ndonjë interes për vete”; “Po deshët, miratojeni, po deshët jo”; “Këto janë punë delikate, se janë amerikanët në lojë”; “Berisha u ka premtuar në zyrë” e të tjera banalitete si këto. Ka qenë ndërhyrja e ashpër dhe kompetente e ministrit të Financave, Ridvan Bode, që ka shmangur skandalin. Berisha i kapur prej djalit të tij thuajse ka heshtur dhe ka pranuar arsyetimin që kjo kontratë të mos lidhet, por të rikthehet në Ministri të Mbrojtjes për tender.


Por pas një muaji Mediu ia doli. Pa tender, përmes një vendimi që mbështetej në mënyrë të pjesshme te VKM 138 e qeverisë, ai ia dha këtë kontratë asaj kompanie që deshi t’ia jepte që në fillim. Në këtë histori u implikua thellë djali i kryeministrit, i cili, siç rezulton, ka lobuar pranë ministrit të Drejtësisë për komente pozitive për këtë vendim. Tri sekretare e dëshmojnë këtë lobim, dy nga Ministria e Drejtësisë dhe një nga Ministria e Mbrojtjes. Mediu rezulton të ketë qenë në kontakt të përditshëm me Shkëlzen Berishën dhe ky tjetri me Mihal Delijorgjin. Tabulatet e telefonave ditën e tragjedisë zbulojnë se Mihal Delijorgji ka biseduar në minutat e para pas shpërthimit me Shkëlzen Berishën, pasi ky i fundit ka dalë nga takimi me Mediun. Kjo lidhje e fortë kriminale deri në kokë të qeverisë ishte një fund logjik i karrierës së një politikani që ka pasur lidhjet kriminale dhe adhurim për botën e krimit.


Mediokër në formimin e tij dhe jashtë çdo standardi si zyrtar shtetëror, ai futi Shqipërinë në një krizë të pashembullt me SHBA dhe partnerët evropianë për shkak të inkriminimit që i bëri kryeministrit Berisha dhe familjes së tij me këto lidhje kriminale. Ishte ky inkriminim që bëri Berishën të ndryshonte tërësisht dhe t’i shpallte luftë drejtësisë shqiptare për të shpëtuar Fatmir Mediun dhe të birin e tij. Dhe kjo luftë është kostoja më madhe që Shqipëria po i paguan sot integrimit në Evropë, mos-liberalizimit të vizave dhe thuajse ngrirjes së marrëdhënieve me Perëndimin. Është kjo krizë që detyroi Berishën të sulmonte vëzhguesit e ODIHR dhe që rrezikon që zgjedhjet të dështojnë nga paniku i humbjes dhe llogaridhënies para drejtësisë. Është ky një bilanc logjik i një politikani që quhet Fatmir Mediu. Ai ka marrë sot peng kryeministrin e vendit dhe po e detyron atë të veprojë sipas ligjeve që mafia i dikton një pengu. Dje ai ka dalë sërish para shqiptarëve dhe u ka kërkuar votën për një mandat të ri.


Ky lajm nuk mund të dëgjohej askund, përveç këtij vendi, ku njerëzit harrojnë të shkuarën dhe shpesh dhe të ardhmen e afërt.