Aleks Burreli

Aktiviteti kriminal i emigrantëve shqiptarë në vendet e BE-së është rritur, kryesisht në 5 vitet e fundit, duke u përqendruar kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike dhe prostitucion, sipërmarrje këto që kanë çuar shpesh në përgjakje të rrugëve të Europës, si pasojë e larjeve të hesapeve mes bashkëkombësve ose bandave rivale.


Dhe një nga të cilësuarit kriminelë më të rrezikshëm në Europë, është një 50 vjeçar nga Shqipëria, të cilin Europol e ka vendosur në listën e 54 personave më të kërkuar. Pjesë e Europes Most Wanted Fugitives është Gani (Aleks) Burreli, i cili kërkohet nga autoritetet e Qipros, pasi dyshohet si i përfshirë në vrasjen e trefishtë të ndodhur më 23 Qershor të 2016-s.


Dyshohet se Burreli dhe një bashkëpunëtor i tij janë futur në një restorant në Ayia Napa të maskuar dhe të armatosur me pistoleta e armë automatike.

































Më pas ata kanë hapur zjarr duke vrarë një biznesmen, një oficer policie dhe bashkëshorten e tij, ndërsa në momentin e krimit, në restorant ndodheshin edhe fëmijët e mitur të policit.


Nga ngjarja mbeti i plagosur rëndë një tjetër polic, megjithatë ai arriti të vriste bashkëpunëtorin e Burrelit.


Ndërkohë sa i përket 50-vjeçarit shqiptar, ai besohet se u largua nga vendngjarja me një makinë që u gjet më vonë e djegur. Burreli dyshohet se është i përshirë edhe në disa vrasje të tjera në Ayia Napa, si pjesë e një bande kriminale shqiptare.


13 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)