"Katalogimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore" është workshop-i që do të zhvillohet nesër paradite në sallën e Muzeut Historik Kombëtar. Në aktivitetin i cili organizohet nga Këshilli i Muzikës Shqiptare, në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar të UNESCO-s do të marrin pjesë specialistë të fushës, punonjës të institucioneve kulturore të trashëgimisë kulturore në qendër dhe në bazë, studentë dhe të interesuar të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore. Katalogimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore është një fushë e re pune për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ligji "Për trashëgimisë kulturore", i ndryshuar parashikon krijimin e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, i cili ndër të tjera duhet të shpallë edhe listën tonë të "Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore", kjo krahas listës së monumenteve të kulturës materiale, e cila tashmë ekziston prej vitit 1948. Detyrimet për thellim të mëtejshëm në fushën e katalogimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore rriten pas shpalljes së "Isopolifonisë Popullore Shqiptare" si "Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit" nga UNESCO e në mënyrë të veçantë pas ratifikimit që Shqipëria i bëri Konventës së UNESCO-s "Për trashëgiminë shpirtërore" në vitin 2006. Aty parashikohet edhe hedhja e hapave konkretë për katalogimin e trashëgimisë shpirtërore.