Në operacionin Oaz në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër Policia e Shtetit, arrestoi edhe trajnerin e kombëtares së femrave Armir Grima, madje në media të ndryshme po shkruhet se Grima është arrestuar pasi së bashku me bandën kriminale Bajri është përfshirë në trukimin e ndeshjeve, por kjo nuk është aspak e vërtetë.


Arrestimi i ish portierit të Vllaznisë nuk ka të bëjë aspak me trukime ndeshjesh dhe me organizmin e llotarive sportive të palejuara, pasi këto akuza janë të gjitha në adresë të familjes Bajri që njihet për aktivitetet e saj kriminale.


Supersport nëpërmjet burimeve të saja ka mësuar si qëndron e vërteta me Grimën dhe kërkon të sqarojë të gjithë opinionin sportiv në vend.


44-vjeçari shkodran është një i pafajshëm që është lidhur padrejtësisht me një krim të tillë. Ajo çfarë e lidh Grimën me këtë çështje është se kohë më parë, trajneri i kombëtares së femrave ka marrë një telefonatë nga antarë të familjes Bajri të cilët e kanë kontaktuar Grimën për të marrë informacione lidhur me skuadrën e Tërbunit tek e cila në atë periudhë luanin shumë lojtarë shkodranë dhe futbollistë të dalë nga akedemia e Vllaznisë të cilët Grima i njihte. Por në atë periudhë telefonat e familjes Bajri përgjoheshin nga Policia dhe kjo është arsyeja që Grima është përfshirë padashur në këtë ngjarje.


Grima i ka dhënë aq informacion sa ka patur lidhur me lojtarët e Tërbunit familjes Bajri e cila më pas i ka përdorur këto informacione për tu bërë presion këtyre të fundit që ti linin ndeshjen Vllaznisë  që në atë periudhë kishte nevojë për pikë për të evituar rënien dhe përballë kishte pikërisht Tërbunin e Pukës.


Kjo është arsyeja e përfshirjes së Grimës në bandën kriminale Bajri, por duhet theksuar se trajneri i kombëtares së femrave nuk ka lidhje me organizimin e llotarive sportive të palejuara dhe me aq më tepër me trukimin e ndeshjeve në futbollin shqiptar.


22 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)