Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të Komisariatit të Policisë Rrugore, Tiranë:

Besoj që të gjithë ju mediat keni në arkivat tuaja pamje të freskëta, të më pak se 3 viteve më parë, kur vinit shpesh në këtë territor për të parë sesi torturoheshin njerëzit përballë një ngrehine të rrënuar, të ndërtuar qysh prej vitit 1981 dhe të degraduar skajshmërisht. Njerëz të detyruar që të zinin radhë që në 04:00 të mëngjesit, për të paguar gjobat e shkeljeve në qarkullimin rrugor.

Rreth 200 mijë njerëz në vit përballeshin me një situatë që as në mesjetë nuk mund të gjente krahasim.

Ja ku jemi sot, këtu, në një situatë tërësisht të transformuar, me një pritje të denjë për të gjithë qytetarët.

120-150 persona në ditë shërbehen në kushte optimale, falë një investimi të kryer në bashkëpunim me sipërmarrjen, pa nxjerrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, si pjesë e programit të Rilindjes së Policisë së Shtetit dhe transformimit të saj nga një trupë e tradhtuar, e braktisur, e lënë rrugëve duke shtyrë automjetet që ngecnin për mungesë karburanti, që nga ana tjetër grabitej masivisht, në një polici që çdo ditë e më shumë i ngjan trupave simotra në Europën ku jetojmë.

Respekt për skuadrën e Ministrit të Brendshëm!

Respekt për drejtuesit e Policisë së Shtetit, që, të çliruar nga kthetrat e politikës së lidhur me krimin, që i mbante nën një trysni të përditshme dhe ua kishte bërë ferr profesionin e tyre, sot janë në krye të detyrës dhe çojnë përpara një projekt madhështor të vënies së Policisë së Shtetit plotësisht në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

Natyrisht që, kjo punë ka në krye Ministrin e Brendshëm dhe sa herë më jepet rasti e kam përsëritur dhe do e përsëris që puna e tij meriton çdo lëvdatë, pasi jo më kot meriton edhe gjylet e përditshme të baltës së SHQUP-it, që janë në fakt, komplimenti më i mirë për punën e ministrit dhe të gjithë ekipit të Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit. Kompliment që vjen nga ata, të cilët vetëm shtet nuk njohin e vetëm shtet nuk ditën të bëjnë dhe teksa shohin se si po bëhet shteti, asgjë tjetër s'mund të bëjnë përveçse të mbushin topat e baltës dhe të gjuajnë, duke filluar nga Policia e Shtetit, që është modeli për t'u ndjekur nga të gjithë.

* * *

Të gjithë i mbajnë mend radhët e gjata të qytetarëve që prisnin me orë e deri me ditë në sportelet e një godinë me llamarina e hekura 35 vjeçare, që vetëm emërtimin kishte Komisariati Rrugori Tiranës, për të paguar gjobat. Kjo ishte kthyer në një torturë për drejtuesit e mjeteve. E në jo pak raste, këto kushte kishin ushqyer edhe korrupsionin. Mbi këtë ngrehinë u ngrit një godinë tërësisht e re. Pas investimit mjediset e reja ofrojnë kushte të standardeve europiane të shërbimit dhe pritjes së qytetarëve. Ambientet e reja u inspektuan sot nga Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

"Këtu ka qenë një godinë shumë e vjetër, e ndërtuar që në vitin 1981, pa u vënë dorë. Qytetarët duhet të vinin në orën 04:00 të mëngjesit për t'u shërbyer, në radhë të gjata dhe mbaronin të nesërmen në mëngjes. Ndërkohë nga një ndihmë nga shumë partnerë privatë kemi ndërtuar një godinë të re, për t'u shërbyer qytetarëve dhe për të pasur gjithë gamën e shërbimeve në këtë zyrë shërbimi," - nënvizoi ministri Tahiri.

Ambientet e reja ofrojnë standarde bashkëkohore pune edhe për punonjësit e këtij Komisariati, i cili menaxhon dhe monitoron trafikun urban dhe interurban në të gjithë Qarkun Tiranë dhe përballon 70 % të volumit të punës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Ervin Hodaj tha se me Komisariatin e Policisë Rrugore përmbyllet edhe projekti i transformimit të të gjitha komisariateve dhe sporteleve të shërbimit të policisë në Tiranë.

"Kjo godinë është tërësisht e re, jo e rikonstruktuar. Është vendosur gjithë administrata. Komisariati i shërbimit rrugor mbyll tablonë e të gjithë komisariateve të Tiranës për shërbimet ndaj qytetarëve. Në sportel merren të gjitha shërbimet. I'u shërbehet rreth 120-150 qytetarëve në ditë," - tha drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Ervin Hodaj.