POGRADEC-“Zërat që vijnë nga galeritë”, ishte tema e emisionit të “Njerëz në foks” nga moderatorja Ola Bruko në “News 24”. Fshati Beragozhd i Komunës Dardhas në Pogradec i njohur në zonë si më i varfëri e ka mbyllur odisenë e varësisë së tij nga emigracioni dhe tashmë mbijeton prej minierave.

Imazhet këtu të ofrojnë një realitet krejt tjetër. Shumë prej banorëve në këtë fshat ndonëse të lodhur dhe të varfër, hipur në kuaj i qepen shpateve të maleve dhe marrin rrugën drejt galerive të vdekjes. Ata lënë mëngjesin herët dhe kthehen në mesnatë të baltosur deri në grykë me hekurishte dhe tela që të gjitha së bashku harrijnë shumën modeste deri diku të 800 lekëve të vjetra .Kjo është galeria ku vlëllezërit Nertil, Ledjon, dhe Edisoni të shoqëruar nga kushërinjtë e tyre Arjani dhe Sazani gjetën vdekjen teksa gërmonin për hekur për të siguruar kafshatën e bukës.Kjo galeri, ishte mbyllur vetëm me një distancë prej 5 metra thellësi nga një firmë që kishte fituar tenderin vite më parë, por varfëria i detyroi të rinjtë të hapnin një zgavër dhe të depërtonin në thellësi të saj. Pas tragjedisë kjo galeri është mbyllur vetëm me një masiv dheu, ndërsa frika qëndron se dikush mund ta hapë sërish dhe tragjedia mund të përsëritet.

Në këtë zonë numërohen së paku 30 galeri, të cilat janë të hapura,dhe veç mbishkrimit të 'vdekjes' nuk ka asgjë që të pengon për të hyrë lirisht.Pavarësisht tragjedisë, banorët tek të cilët varfëria është 'shtrirë për së gjati, tentojnë të hyjnë sërish.Ky është një prej banorëve të zonës, i cili është filmuar teksa tenton të hyjë në brendësi të një tjetër galerie. Pas përballjes me kamerën ai tërhiqet pas, por nuk fsheh të vërtetën se këto galeri dhe nxjerrja e skrapit në to janë e vetmja mënyrë jetese,ndërsa për kushte as që mund të flitet.Shëmbjet minerare dhe gazi karbonik ndihen vetëm pak metra nga hyrja e galerisë, por ata vijojnë të jenë kurajozë për shkak të varfërisë që i ka lidhur keqas. 

Edhe banorët e tjerë të fshatit Beragozhd thonë se jetesa e tyre është e lidhur ngushtë me galeritë pavarësisht rrezikut. Varfëria duket se këtu sfidon edhe vdekjen.Tokat e këtij fshati janë të varfëra dhe të pa mjaftueshme për të mbijetuar ndërsa banorët thonë se do të vazhdojën të futen në galeritë e vdekjes për të siguruar bukën e përdishme.

Tragjedia e 6 nëntorit në Beragozhd ishte e paralajmëruar. Në këto galeri vetëm pak ditë nga vdekja e të rinjve Hamolli,mbeti i bllokuar një tjetër 24 vjecar i afërm me viktimat ndërsa përpiqej të siguronte hekurishte për të mbajtur frymën gjallë.Ardjan Hamolli hyri në galeri i vetëm por fikja elektrikut të dorës e bëri të humbte rrugën e daljes.Qëndroi plot 12 orë në galeri mes vështirësive të shumta, por fatmirësisht mundi të dilte i gjallë.Babai i tij dhe banorët e fshatit apeluan njëzëri në "News 24" për mbylljen urgjente të galerive por pavarësisht kësaj asnjë masë nuk u mor dhe ajo të gjithë i friksoheshin ndodhi.

Tragjedia ndodhi, por edhe pas kësaj ato galeri vazhdojnë të shfrytëzohen ilegalisht.Banorët harxhojnë ditë të tëra pune në dhjetëra galeritë e Beragozhdit ndërsa vdekja rrezikon sërish të marrë jetë njerëzish.Janë rreth 100 galeri vetëm në rrethin e Pogradecit ku banorët gërmojnë hekurishte për të mbajtur frymën gjallë,ndërsa një tjetër pikë strategjike po kaq e rrezikshme sa galeritë e Beragozhdit ëshët edhe Vërdova. Ky është realiteti i hidhur në fshatrat e varfër të Pogradecit, ku galeritë e braktisura shikohen së fundmi si e vetmja mënyrë jetese.
Një ditë e tërë pune, e cila kalon jo pa rreziqe dhe në fund vetëm disa thasë me hekur që arrijnë vlerën modeste prej 500 lekësh të reja. Një ditë e tërë pune, e cila kalon jo pa rreziqe dhe në fund vetëm disa thasë me hekur që arrijnë vlerën modeste prej 500 lekësh të reja. 

(m.s/News24/BalkanWeb)