(Big Brother: koha sociale dhe koha spektakolare…)






Këto tre muaj që jemi nën peshën e televizive të big-brother-it, ka nevojë që të bëjmë dallimin midis asaj që duket në ekran dhe asaj që fshihet pas tij , midis asaj që është thelbi spektakolar dhe domethënia sociale, midis argëtimit, kalimit të kohës së lirë dhe nxjerrejs së mësimeve që duhen. Evidentimi i mesazheve sociale dhe vlerave estetike, që spektakli i transmeton në mënyrë sinkretike, kërkojnë që të kemi të tjera marrëdhënie dhe qëndrime me big-brother-in, duke dalluar atë që harxhojmë si “kohë lineare” dhe si mjet për të kaluar kohën e lirë, nga ajo që është me vlera sociale, që duhet vënë në dispozicion të “kohës cilësore” të njeriut. Ne na intereson ajo që ndodh brenda shtëpisë, por sidomos projeksioni social i ideve, ndjenjave që zhvillohen aty, që kanë rezatim social jashtë shtëpisë. Po cilat janë mesazhet e koncentruara që na vijnë nga “shtëpia më e famshme në Shqipëri” ?


Kur flasim për ngjarjet që ndodhin nuk është në vëmendjen tonë vëtëm koha e lojës së banorëve, e cila për ne si vëzhgues bëhet pjesë e “kohës artistike” të argëtimit. Ajo që vjen në shtëpinë tonë nëpërmjet televizionit, është produkt që prodhohet dhe konsumohet në të njëjtën kohë, që rrjedh njëherësh si ngjarje sociale dhe event artistik. Ky është një moment që duhet vlerësuar dhe nuk duhet shpërdoruar, sepse koha që rrjedh në spektakël është “kohë e përbashkët”, jo vetëm e banorëve të “ngujuar” por dhe e shoqërisë tonë. Ndaj njerëzit e mencur e ndjekin spektaklin jo me “sy mbyllur” por shikojnë dicka më shumë, përtej asaj që duket, përtej botës së drejtpërdrejtë të spektaklit.


Koha që konsumohet brenda shtëpisë nuk është vetëm kohë e konsumuar në grupin e ngushtë të banorëve. Vlera e saj qëndron përtej rrjedhjes normale të kohës fizike brenda të cilës prodhohen ngjarjet në “shtëpi”. Vlera e big-brother-it sipas mendimit tim më shumë qëndron “jashtë shtëpisë”, pikërisht në faktin se ajo rezaton mesazhe të forta sociale. Vlera të cilat pasi prodhohen në atë “shtëpi” i kthehen në mënyrë analitike, të koncentruar tërë shoqërisë tonë. Prandaj njerëzit tanë kanë nevojë të thellohen në mesazhet që vijnë “përtej asaj që duket”. Kjo do të thotë se për ngjarjet që ndodhin aty duhen organizuar më shumë biseda televizive, debate mediatike e pedagogjike në familje, shkolla dhe institucionet e edukimit, për të mësuar njerëzit tanë që të mos kqyrin pasivisht dhe të “zhgryen” me mëndje të mbyllur pas bëmave të drejtpërdrejta të banorëve, që janë para kamerave të fshehta, dhe që kanë detyrë të “bëjnë lojë”, të prodhojnë ngjarje” por të kuptojnë mesazhet që vijnë nga ekrani dhe që i duhen jetës sonë që po modernizohet me shpejtësi të jashtëzakonshme. Cështja është që t’i mësojmë njerëzit që këto tre muaj të mos i “djegin kot” por të dinë që duke ndenjur të “gozhduar” pas spektaklit të dallojnë “kohën lineare” të spektaklit si kohë e konsumueshme, nga pjesa e “kohës cilësore”, si kohë e transmetimit të mesazheve të mëdha, të dobishme, me vlerë për shoqërinë shqiptare në tërësi. Apo e thënë ndryshe, duhet dalluar “koha spektakolare” nga pjesa e “kohës sociale”. Koha spektakolare është koha e konsumit të ideve dhe imazheve që prodhohen nga banorët e shtëpisë. Ka një kohë qëndrore të spektaklit prej disa mijra orësh dhe dhjetra ditësh që konsumohen në shtëpi, por gjithnjë para kamerave. Në funksion të saj bëhet konsumi i gjërave të vecanta, që së bashku përbëjnë spektaklin dhe përmes tij transmetojnë performancën e një “eksperimenti social”. Në se njerëzit, sipas sondazheve të përafërta konsumojnë nga tre deri gjashtë orë në ditë duke e ndjekur intensivisht atë, kjo do të thotë se është një kohë e madhe sociale, prej gati rreth 2 mijë orësh, që duhet përkthyer pozitivisht për të gjithë popullsinë shqipfolëse, ketu dhe matanë kufijve shtetërorë.


Nuk mendoj se do të kish impaktin e duhur big-brother-i në se pas spektaklit shikojmë vetëm argëtimin duke qëndruar “shtrirë në shtëpi” në kolltukun e rehatshëm, pa vrarë mendjen për mesazhet që dalin nga kufijtë e ngushtë të dukjes së ekranit televiziv. Njerëzit që dinë të ndajnë “kohën lineare” të argëtimit nga “koha cilësore” e mësimit individual dhe e transmetimit të mesazheve sociale, nuk presin vetëm argëtim, por së pari presim shërbime nga ky “laborator social” i ndërtuar si “habitat spektakular”, ku për ata që luajnë cdo gjë është e paguar por dhe për ne si spektatorë konsumi është “gratis” (jo në kuptimin monetar). Unë mendoj se si shoqëri pas ndjekjes pasive të big-brotherit, mund të gjejmë motive më të mëdha tejkulturore e përtej spektakolare. Pas bisedave pasionante të banorëve, ne duhet të kemi një synim social, që në fakt e ka “vëllai i madh”, që sipas mendimit tim është që të mundësohet “pilotimi publik i nivelit të marrëdhënieve sociale, ndryshimet që kanë ndodhur në tipologjinë e shfaqjes së ndjenjave në shoqëri”, sepse big- brother është një mënyrë për të parë se si funksionojnë marrëdhëniet dhe sa të qëndrueshme janë komunitetet sociale që krijohen jashtë lidhjeve fisnore. Mbi të gjitha mund të përcaktohet se cila është marka e “cimentos sociale” që mundëson ekzistencën e lidhjeve komunitare në kohën moderne. Këto besoj se nuk janë motive të vogla. Përkundrazi ato duhen vënë të analizë dhe në dispozicion të “kohës cilësore” dhe “synimeve sociale” të të gjithë njerëzve që ndjekin këtë spektakël.


Ky është problem që duhet vlerësuar, i cili na ndihmon që të shikojmë përtej tij, si shfaqen “modulet” e marrëdhënieve sociale të kohës moderne. Të mos harrojmë se ekziston dhe rreziku i mundshëm që “koha spektakolare”, që për ne që jemi jashtë shtëpisë është kohë e realitetit social, pavarësisht që zhvillohet dhe transformohet brenda shtëpisë tonë private, në se nuk perceptohet si kohë sociale mund të kthehet në “lëndë të deformuar”, që ndikon pastaj që shumë gjëra të perceptohen në mënyrë iluzore. Natyrisht banorët janë në botën e spektaklit i cili ka parimet dhe ligjet e veta imanente, dhe kjo të pengon nganjëherë që të gjesh masën e natyrës së vërtetë të jetës moderne, e cila nganjëherë edhe në big-brather vjen e sheqerosur, pse jo e mbuluar me iluzione në ndonjë rast.


Gjithnjë e kam shqetësimin e natyrshëm të sociologut, për të parë se sa ky spektakël i përmbush parametrat e “organizimit social”, dhe pastaj se si e realizon performancën si spektakël. Sepse gjithnjë “spektaklet sociale” kanë rrezikun që për hir të spektaklit shpesh bëhen “vetëdije e reme” e kohës.


Ky është një problem i cili ka filluar të ndihet në këtë edicion të tretë dhe që në të ardhmen mund të bëhet problem shqetësues. Sipas mendimit tim ky rrezik mund të kapërxehet. “Vëllai i madh” i ka të gjithë mundësitë, që këtë cështje të mund ta zgjidhë me “detyra shtëpie”. Fjala vjen përvec “dukjes fizike”, akoma për shikuesit nuk duken të qarta pse u bë rikthimi eksperimental i lojës në kushtet e jetës materiale të viteve 70-të dhe krijimi i një situate paradoksale të raportit midis të jetës materiale të banorëve që na ka cuar në të kaluarën dhe jetës me parametra të modernitetit aktual. Duhet gjetur mënyra për të stabilizuar këto dy pjesë të spektaklit dhe të jetës, pa të cilat eksperimenti i edicionit të tretë do të kish vlerën e kufizuar të një “spektakli ekzibicionist”.


Makineria spektakolare e big-brotherit është shumë e fuqishme, influente në opinionin e shoqërisë tonë, por dhe vetëkorrigjuese. Ndaj duhet kujdes më shumë për të rregulluar disa raporte që gjithnjë në këtë spektakël herë deformohen dhe nganjëherë edhe prishen. “Vëllai i madh” i ka të gjitha mundësitë që personazhet e shtëpisë së tij t’i orientojë më mirë drejt konceptit të përbashkët, sipas së cilës jo e gjithë koha e tyre është për “konsum individual” sepse sidoqoftë ajo është jetë e vëzhguar, nën kamerat e “panoptikonit social”, i cili ka pretendime sociale për lojën e tyre. Kjo do të thotë se duhet organizuar më mirë jeta e banorëve, e cila nuk kanë kohë individuale për të bërë “histori personale”, por duhet të ndërtojnë një “kohë sociale” për të bërë spektakël social me vlera, natyrisht pa anashkaluar historitë dhe ngjarjet e vogla individuale, që nuk kanë qënë të munguara.


Kjo është koha moderne, “kohë e spekaklit” dhe “shoqëri e qejfit”, e gjërave që konsumohen shpejt dhe që ikin pa lënë shumë gjurmë sociale. Spektakli po na mëson, sidomos të rinjve disa parametra të jetës moderne, e cila e ka bërë botën më të tjeshtë, filozofikisht më pak të komplikuar, me marrëdhënie e relacione sociale dhe metafizike më të thjeshta. Duket që në të ardhmen do jetojmë në një botë që ka pak kuptim, që shumë gjëra nuk do të jënë aq “thelbësore”, kulturore apo historike. Shumë gjëra në jetën e njeriut janë dhe do të bëhen akoma më të rastit, të castit, të përkohëshme, të kalueshme pa shumë gjurmë sociale.


Nuk duhet të harrojmë një difekt endemik të big-brotherit, që nuk na lë të besojmë për një rezultat analog me realitetin. Ai është në thelb një “spektakël me natyrë merkantiliste”, që për fituesin ka në fund një pagesë të “majme” dhe mjaft stimuluese për të “luajtur rolin” sipas lojës dhe për të arritur objektivin e fitimtarit. Kam përshtypje se shpërblimi është sa nxitës aq dhe deformues i dimensionit të lojës reale, sepse “ceku 100 milionësh”, është i projektuar në formëm e imperativit kategorik, dhe qëndron si modus viventi dhe modus operanti për cdo lojtar të Big Bratheri-it. Kjo duket qartë në vështirësitë e gjetjes së “gjuhës së përbashkët” dhe moduleve të vështira të komunikimit interaktiv të banorëve. Kjo është e pritur sepse që të gjithë po jetojmë në kohë të vështira të neurotizmit social masiv, në kohë që është e vështirë të gjesh “gjuhën komunitare”. Në shtëpinë e madhe kemi të gjithë format e komunikimit, të dialogut intensiv, me diapazon të gjërë dhe me të gjithë ngjyrat e mundshme.


Megjithatë sipas meje spektakli ka disa vlera me rëndësi që e vlejnë kohën cilësore që konsumojmë me të dhe për të:


Së pari ka vlerë pse i mëson njerëzit si të jetojnë dhe të përshtaten suksesshëm në kohën me aks të fortë individualist, me mënyrën e të jetuarit në shoqërinë moderne e cila edhe tek në ka filluar të ketë të plota konturet e shoqërisë së “rrëmujës së përgjithshme”.


Së dyti, spektakli ka vlera sepse mëson të rinjtë që në këtë kohë të individualizmit ekstrem, që të gjejnë mënyra komunikimi qytetar, të përvehtësojnë modalitetet e ndërtimit të “personalitetit të integruar në grup”.


Së treti, ka shumë rëndësi pse na mëson si të veprojme dhe si të sillemi, kur është fjala për zhvillimin e konfliktit, që nuk është vetëm “zemra e spektaklit”, por është në origjinën e të gjithë gjërave të botës moderne.


Së katërti, ajo që ka vlerë në këtë spektakël është mënyra qytetare e komportimit në situatën e vështirë të kompeticionit dhe egoizmit personal, niveli i gjuhës së përdorur si instrument i vetëm i komunikimit interpersonal të qytetëruar. Për të gjitha këto spektakli e vlen…




Gëzim TUSHI