Nju Jork, 24 shtator 2011, NOA Kryediplomatja evropiane Catherine Ashton rikonfirmoi se Kosova ka perspektivë të sigurt për integrimin në Europë.

Gjatë takimit në Nju Jork me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, baronesha Ashton e çmoi kryeministrin për lidershipin e tij në krye të Qeverisë së Kosovës, si dhe për përkushtimin e punën e mirë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

Zyra e shtypit e kryeministrit të Kosovës bën me dije se se kryeministri Thaçi shprehu angazhimin e Ekzekutivit të Kosovës për dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Thaçi theksoi se Qeveria që ai drejton është e gatshme të vazhdojë reformat për forcimin e qeverisjes së mirë, reformat substanciale në politikë, ekonomi dhe legjislacion, fuqizimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, në funksion të përmbushjes së plotë të axhendës evropiane të Kosovës.

Gjatë ditës së premte kryeministri Thaçi mori pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit në Nju Jork, ku foli për zhvillimet në Kosovë dhe arritjet e shtetit më të ri europian.

mit/NOA


Në Foto: Catherine Ashton, Hashim Thaçi