Deputetët e opozitës në komisionin e Ekonomisë kërkuan sqarime për çështjen e vëllait të ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj.



Sipas tyre lidhja e qeverisë me trafiqet e drogës është fakt, dhe ndikimet ne ekonomi po japin efekte në zhvlerësimin e euros.


Por sipas Erion Braçes flukset e valutës janë zhvillime normale. Opozita kërkon me ngulm largimin e ministrit të Brendshëm dhe protesta e lajmëruar për të shtunën do jetë një provë force.


Të gjithë mandatet tuaja janë prodhim i kategorisë Agron Xhafajt, Balilaj, Habilaj etj., etj. Më shumë se me ju kap me presh në duar, opozita nuk ka çbën. Nëse ju nuk reagoni e kryeministri juaj do luaj rolin e strucit, atëherë do të ketë reagim popullor, tha Flamur Noka.


Jeni pashpresë e mos u përpiqni ti dilni vrullit të qytetarëve me forcë, sepse do ta pësoni ju,tha Edmond Spaho.


Erion Braçe tha se nëse ka fakte, PD duhet ti çojë në prokurori, ndërkohe tha se opozita po nxit protesta të dhunshme.


Kur kemi parë me sy 26 majin, e për më tepër kur kemi vuajtur mbi kurriz në mënyrë të qartë 21 janarin, as na bën përshtypje fare kërcënimi i PD se me dhunë ditën e shtunë do hyjë në zyrat e shtetit, do merret me ne, e ku di unë. Jam i bindur që do ikin ashtu siç e meriton gjithkush që ushtron dhunë përkundër institucioneve, jo vetëm këtu po në gjithë botën, u shpreh Braçe.


21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)