Vijnë nga e njëjta zonë që dikur përfshihej në hartën e madhe të quajtur ish-Jugosllavi. Një pjesë që ia ka hedhur paq këtij vendi të madh dhe që e kanë dashur me të mira dhe me të këqijat, padyshim, ishte pjesa sllave e ish-Jugosllavisë. Ndërsa pjesa tjetër, që dihet, në luftë, urrejtje dhe frikë të përhershme, të deritanishme, ishte Kosova. Regjisori nga Sllovenia, Reggero de Virgilis, një ditë më parë ka shfaqur në edicionin e gjashtë të TIFF, dokumentarin “Nostalgjia e Titos”. Duke përdorur shirita të vjetër dhe intervista me njerëz në Slloveni, Kroaci dhe Serbi tregon impaktin e komandantit të atëhershëm komunist Josip Broz Tito, që ruan ende qytetarët e ish-Jugosllavisë.


Tito është Tito që shpalosi filozofinë ruse të sistemit komunist, që u bë modë dhe u përhap në mënyrë të çuditshme në të gjitha vendet e Lindjes, deri në rrëzë të perëndimit nga buroi e gjithë teoria e krimeve. Por, ajo që sjellin qytetarët është e çuditshme për vendet sllave mbi këtë udhëheqës, që i “detyronte” fëmijët të tundnin çuditshëm duart lart, që të visheshin me uniformë, duke zbritur në popull me triumfin e mitit, por që në fund të fundit e kujtojnë me nostalgji.


Ndërsa nga fronti tjetër jo sllav, pjesa shqiptare e Jugosllavisë së madhe, që sot nuk ekziston më, i riu i regjisurës kosovare, Burim Halili, ka ndërtuar një film fiction, me metrazh të shkurtër “Intervista”. Kosova e vitit 1995 është shumë ironike dhe absurde. Kur militarët serbë i kishin futur frikën në palcë kosovarëve, këta të fundit jetonin në një lloj nënshtrimi dhe frustrimi që i shpërfytyronte nga personaliteti.


Kjo është e vërteta - do përgjigjej shkurt regjisori i Burim Haliti, që me këtë film shënon nisjen e tij të karrierës, pra është filmi i parë që e nxjerr në Kosovë dhe jashtë saj. Në mes të pushtimit serb, një kryebashkiak vjen me një metodë shumë gjeniale për të dhënë një intervistë në një gazetë angleze. Në një zonë të papërcaktuar, një telefon i lidhur majë shtyllës tregon lidhjen e vetme dhe të fshehtë, rrekjen e shqiptarëve të dëshpëruar për të denoncuar sistemin ushtarak serb. Por frika i bën të fshihen sapo në rrugë shohin milicinë serbe, pa guxuar të përballen. Terrori dhe frika është atmosfera që ka përjetuar Haliti, i lindur në ’81 në Kosovë dhe edukuar për arte në Fakultetin e Prishtinës, që vjen me një eksperiencë filmike, për të na thënë atë çfarë ishte e vërtetë në heshtjen e kosovarëve në vitet ’95.