Pas 13 muajsh hetime, është mbyllur Komisioni Hetimor për privatizimin e CEZ-it. Ky komision, do ti kërkojë Kuvendit në seancë plenare dërgimin e kallëzimit në Prokurori për djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha.


Kryetari i këtij komisioni Taulant Balla, ka deklaruar se ky hap vjen pas refuzimit të dëshmisë nga ana e djalit të ish-kryeministrit .


Sipas Ballës, Shkëlzen Berisha, rrezikon deri në 3 vjet burg për mosdhënie të dëshmisë.


Balla ka bërë kallëzim penal edhe për Nue Kalajn, pasi nuk u paraqit asnjëherë në komision dhe është shpallur në kërkim nga policia.


Komisioni parlamentar hetimor për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë nga CEZ në 2009 i mbylli seancat dëgjimore me dëshmitarët pa marrë dot në pyetje Nue Kalajn dhe Shkëlzen Berishën.


Ky i fundit u paraqit për herë të tretë përpara komisionit dhe përsëriti kërkesën për përjashtimin e kryetarit Taulant Balla nga seanca e marrjes së dëshmisë së tij, për shkak të konfliktit të interesit që kanë në lidhje me një vendim gjyqësor.


Balla thotë se ka prova të pakundërshtueshme se ish-sekseri i CEZ-it Kalaj dhe Shkëlzen Berisha kanë përfituar 7 milionë dollarë nga privatizimi i CEZ-it.


20 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)