Me afrimin e datës së shumëpërfolur 21 dhjetor, mbështetur mbi kalendarin e Maja-ve, rrjetet sociale janë përmbytur nga porositë për fundin e botës.

Të shumta kanë qenë postimet në internet për ditët e famshme të errësirës, që do të pushtojnë globin, të ftohtin siberian, që do të tejkalojë shifrat aktuale e do të arrijë deri në minus 100 gradë celsius, apo për rreshtimin në një linjë të të gjithë planetëve.

Të gjitha pikëpyetjet tuaja, marrin përgjigjen: Jo! Bota nuk do të përmbyset.

Pyetjes, ‘Po sikur të ndodhë?’, i përgjigjet me argumente shkencore NASA, agjencia amerikane, një pioniere në eksplorimin e hapësirës. “Toka ia ka dalë shumë mirë për 4 miliardë vjet”, theksoi NASA, “dhe shkencëtarët e besuar, në të gjithë botën, e dinë se nuk ka asnjë kërcënim, që lidhet me vitin 2012”, shtoi kjo agjenci.

Origjina e predikimeve për fundin e botës lidhet me historinë mbi Nibirun, planetin e zbuluar nga sumerët, i cili i është drejtuar Tokës. Sipas gojëdhënave, fillimisht u predikua për fundin e Tokës në maj të 2003, më pas, ngaqë asgjë nuk ndodhi, data e kobit u zhvendos në dhjetor 2012, e lidhur me fundin e një prej cikleve të kalendarit të Maja-ve.

Sipas NASA-s, nuk ekziston një planet me këtë emër, apo planeti X. Nëse do të ekzistonte, shkencëtarët do ta kishin parë.