Federata e Futbollit të Kosovës duket se preferon të quajë shtëpi Këlnin para qytetit të Shkodrës, ku luan aktualisht ndeshjet e saj kualifikuese. Mediat gjermane kanë bërë të ditur se drejtuesit e FFK-së jo vetëm që po ideojnë zhvillimin e ndeshjeve larg Shqipërisë, por edhe kanë zhvilluar bisedime konkrete në Këln, ku pengesë për zhvillimin e takimeve të tilla u është bërë policia gjermane dhe Federata Gjermane e Futbollit.


Sipas Kölner Stadt-Anzeiger, më 28 mars Kosova do të testojë veten në një miqësore me Letoninë. Federata synonte ta luante në Këln, ashtu si edhe ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2018 në qershor kundër Turqisë.


Federata e Futbollit të Kosovës na ka kontaktuar, konfirmoi drejtori sportiv Lutz Vingerath. Megjithatë, ai sqaroi se para se të vazhdonin negociatat, duheshin siguruar leje të tjera. Por plani kosovar këtu ka dështuar,  pasi si policia gjermane, ashtu edhe Federata, kanë qenë kundër organizimit të kësaj ndeshjeje në territorin gjerman.


Sipas mendimit tonë, dy ndeshjet nuk duhet të zhvillohen në Këln, u shpreh Jan Shabaker nga Drejtoria Qendrore e Policisë (LZPD) në Duisburg. Sidomos ndeshja kundër Turqisë pritet që të vërë përballë tifozeri emotive nga të dy palët. Sipas tij, problemet me sigurinë dhe përplasje fizike janë mëse të mundshme. LZPD këtë mendim ia ka përçuar edhe Federatës Gjermane të Futbollit.


Na u bënë kërkesa, por ne i refuzuam, konfirmoi një zëdhënës i Federatës Gjermane. Sipas Federatës, miqësoret e vendeve të treta në stadiumet gjermane do të lejohen vetëm në vitet kur ka aktivitete madhore, por siç dihet, në vitin 2017 nuk ka të tillë.


Vendimi i fundit i FFK-së për tu larguar nga Shkodra pritet të acarojë edhe më shumë tifozët kosovarë, të cilët kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre për mënyrën se si ky institucion i kërkon vazhdimisht që të mos identifikohen me simbolet shqiptare në ndeshje.