Një shtyllë elektrike në ish-fabrikën e kromit është hedhur në erë me eksploziv nga një person në Kukës. Burimet zyrtare bëjnë me dije se është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i vendosjes së eksplozivit. Në pranga ka rënë shtetasi Feim Lugja, 20 vjeç, banues në fshatin Kalimash.


Arrestimi i tij u bë pasi në datë 23.09.2018, në fshatin Kalimash, ka vendosur një sasi lënde plasëse në një shtyllë tensioni që furnizonte me energji elektrike ish-fabrikën e Kromit, ku për pasojë është dëmtuar shtylla.


Sipas të dhënave, 20-vjeçari ishte shkarkuar nga puna. Ndonëse kishte kërkuar rikthimin në detyrë pranë fabrikës së krimit, drejtuesit e kompanisë nuk pranuan. Kjo gjë e ka nervozuar të riun dhe në shenjë hakmarrjeje ka hedhur në erë shtyllën e tensionit për të sabotuar punën në fabrikë.


Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesën e tij u gjet 32 m fitil zjarr-përcjellës, si dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, kanabis sativa.


Në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 6 m fitil zjarr-përcjellës, i ngjashëm me atë që u gjet në banesën e tij.


Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prodhimi, mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


24 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)