shukriNga Dritan Hila


Kur Ylli Rakipi na ftoi në emisionin e tij Të paekspozuarit, nuk tha paraprakisht se për çfarë video bëhej fjalë.


Pas transmetimit, në debatin që e shoqëroi emisionin, një nga pjesëmarrëset, Iris Luarasi, u shpreh se duhet të solidarizoheshim me familjen veçanërisht bashkëshorten e protagonistit, e cila po kalonte çaste të rënda.


Në fakt, duke e njohur mentalitetin e zonave të thella, ku ndarja nga burri është një dramë mbijetese ekonomike dhe emancipimi e dinjiteti femëror është e fundmja gjë për të cilën preokupohet një grua, të gjithë dyshuam.


Dhe me të drejtë.


Në provincë një femër nuk ka mundësi mbijetese ekonomike as në kushte normale, lere pastaj e divorcuar.


Oferta e punës, tregu i saj, janë të limituara, dhe shpërndahen kryesisht nëpërmjet klanit dhe tarafit.


Ndaj është e kuptueshme nënshtrimi ndaj burrit dhe kapërdirja i shumë bredhjeve që ai bën.


Nëse për italianët Indro Montaneli thoshte se një ndër arsyet që burrat italianë kërkojnë të dashura, e bëjnë që tia tregojnë shokëve në bar, në Shqipëri është edhe çështje status-simboli.


Një i zgjedhur, pas mbarimit të mandatit, një ministër pas largimit nga posti, për vazhdimin e karrierës më shumë se arritjet publike, vlen numri i dashnoreve që ka pasur dhe prokopisë që ka bërë.


Ky është mentaliteti ynë ende rudimentar.


Në intervistën që zonja Xhelili ka dhënë për shtypin, nuk ngjan fare se ka pasur dilema të tilla.


Çka është tregues se ajo vetë pavarësisht xhelozive të brendshme që janë patologjike, nuk ka asnjë dilemë sociale, nëse i shoqi i saj kishte bërë mirë apo keq.


Fakti që e pershkruante sikur Shuki ishte hero në luftë për mbrojtjen e atdheut, është groteske dhe surreale njekohesisht.


Kjo tregon sa larg jemi nga Evropa dhe sa rruge do ti duhet femrës të fitojë dinjitetin e saj.


Por kjo është një kujtesë më tepër për elitën e Tiranës që mund të revoltohen me sjelljen e gruas së Shukit, ashtu siç u revoltuan me sjelljen e shitëses ambulante që bëri kompromis me kryetarin e bashkisë së Lushnjës, pasi ky e kishte sharë dhe ofenduar.


Në vende si Shqipëria, betejat për emancipimin, nuk janë asnjëherë beteja të masave apo të shfrytëzuarve. Ato janë beteja të elitave./dritare.net