Nuri Seferi ka shënuar fitoren e radhës në boksin profesionist për të dëshmuar edhe një herë se është një ndër shqiptarët më të suksesshëm të ringut profesionist. Me fitoren e shënuar të shtunën në mbrëmje ndaj kroatit Josip Jalushic, 30-vjecari i lindur në Gostivar të Maqedonisë, por që në ring përfaqëson Shqipërinë, ka rrëmbyer edhe titullin e kampionit të botës në versionin modest GBU (Global Boxing Union) për peshën "cruiser". Përballja e zhvilluar në "Sporthalle" në Kirchberg të Zvicrës ka zgjatur 12 runda dhe është fituar nga "Tajsoni shqiptar" me vendim unanim të gjyqtarëve (116:113, 118:114, 115:113). Me këtë fitore Nuri Seferi ka përmirësuar bilancin e tij në ringun profesionist me 20 fitore (15 prej tyre me "knockout") dhe 5 humbjeve.
Në të njejtën mbrëmje edhe vëllau i vogël i Nuriut, Sefer Seferi, ish-kampion i pesëfishtë i Zvicrës në boksin amator, ka shënuar fitoren e tij të dytë në ringuin profesionist duke mposhtur kroatin Drazen Ordulj.