Mungesa e pasaportës nuk e ndalon boksierin të shpalosë flamurin kuqezi dhe të këndojë himnin shqiptar në çdo ndeshje
Nuri Seferi është shembulli tipik se si sportistët elitarë shqiptarë janë braktisur vazhdimisht nga shteti ynë edhe në kërkesat më minimale të mundshme. Në një prononcim për Top Channel, boksieri nga Gostivari që garon nën ngjyrat e flamurit shqiptar, ka pranuar se pavarësisht faktit se e cilëson veten 100% shqiptar, nuk është pajisur ende me nënshtetësinë shqiptare.
Të jem i sinqertë, kam bërë kërkesa, por fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhër dhe tani kam arritur të identifikohem si shtetas shqiptar në arenën ndërkombëtare, edhe pse nuk zotëroj pasaportën, edhe pse nuk më prish punë fare. Unë e bëj punën time, kam misionin tim, të ngre vlerat e kombit shqiptar, shtetit shqiptar, ishin fjalët e kampionit, i cili pak ditë më parë rifitoi titullin Kampion Europe në WBO, pasi mundi me pikë hungarezin Tamas Lodin.
Sukseset e Seferit i kanë siguruar atij nofkën Tajsoni shqiptar, në një karrierë gjatë së cilës ai ka regjistruar 36 fitore, ku 20 prej tyre janë me nokaut. Por, megjithëse entuziazmon shqiptarët e shumtë nëpër arenat e Europës me sukseset e tij, duket se kjo nuk ka mjaftuar për të marrë nënshtetësinë shqiptare. Një gjë e tillë bie në kontrast me sportet që kanë një mbështetje të gjerë, pasi mjafton të hysh në faqen e internetit të Presidencës për të parë se gjatë vitit të fundit, dhjetëra futbollistë kanë marrë pasaportën shqiptare. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për ata që kanë përfaqësuar kombëtaret, por edhe klubet e Kategorisë Superiore, kërkesa të plotësuara edhe brenda pak ditësh në raste të veçanta.
Seferi shpreson që një gjë të tillë ta bëjë edhe ai realitet së shpejti, ashtu si edhe një ndeshje për titull në Shqipëri, për të cilën duket se ka siguruar mbështetjen e shtetit shqiptar, pas takimeve që ka pasur me ministren Lindita Nikolla apo kryeparlamentarin Ilir Meta. Besoj se këtë herë fitorja ka bërë më shumë jehonë dhe shpresoj se ndeshjen e radhës të madhe ta zhvilloj në Tiranë, ishin fjalët e boksierit.
Ky shkrim Nuri Seferi, një kampion shqiptar pa nënshtetësi u publikua me pare te Gazeta SHQIP.