Nuri Seferi do të zhvillojë duelin e tij të parë në tokën shqiptare, që për rastësi zhvillohet në festën e Pavarësisë. Më 28 Nëntor, “Tajsoni shqiptar” do të ndeshet me turkun Muhamed Ali Durmaz.

Pas mbërritjes në Shkup, ai ka premtuar se do të fitojë, për t’i uruar të gjithë shqiptarëve Ditën e Flamurit. “Nuk kam hequr asnjëherë dorë nga flamuri ynë.

Në çdo ring që kam hipur, në çdo vend ku kam dueluar, qoftë në Gjermani apo në Rusi, kam dhënë maksimumin që të ngre sa më lart flamurin shqiptar”, deklaroi Seferi.

“Jam shumë i emocionuar, pasi do të ndeshem më 28 Nëntor. Dëshira dhe qëllimi im janë që të mos i zhgënjej tifozët”. Dueli kundër turkut me pasaportë gjermane do të zhvillohet në orën 20:30 në palestrën sportive “Boris Trajkovski”, por ndryshe nga sa ishte menduar, ai nuk do të shërbejë për të mbrojtur titullin e kampionit në versionin GBU për peshën “Cruiser”.

Në fakt, Seferi duhej ta mbronte brezin me hungarezin, Lazlo Huber, por për shkak të mosmarrëveshjeve të mediave vizive që kishin të drejtën e transmetimit, gjithçka u anulua.

Boksieri saktësoi se ballafaqimi me turko-gjermanin Durmaz do të shërbejë më shumë në përmirësimin e renditjes në klasifikimin botëror.

“Me Lazlo Huber duhej të mbroja titullin, po sfida u realizua. Dueli me turkun do të jetë një ballafaqim i rëndë, pasi i njoh shumë mirë kualitetet e tij. Gjithsesi, synoj të fitoj, pasi me një sukses do të ngjitesha në klasifikimin botëror”, saktësoi “Tajsoni shqiptar”.

Përveç Nuri Seferit, në një prej ndeshjeve të mbrëmjes, në ring do të hipë edhe vëllai i tij i vogël, Sefer Seferi, i cili do të përballet me Finszur Mihajlo.