Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në duelin e tij të radhës, boksieri shqiptar Nuri Seferi shprehet i sigurtë për fitoren e tij përballë kroatit Josip Jalushic, duel i vlefshëm për titullin botëror në versionin GBU në kategorinë kruizer (deri 91 kg). Të dy boksierët ishin përballur me njëri tjetrin edhe me 8 dhjetor të vitit të kaluar dhe ndeshja ishte mbyllur me fitoren e Seferit me pikë pas 12 rundash, por për duelin e 3 majit që do të zhvillohet në Kirchberg të Zvicrës shqiptari ka bërë të tjera "hesape".
"E kam thënë edhe më parë edhe u qëndroj atyre fjalëve që kërkoj të shënoj fitore me nokaut", ka thënë Seferi. "Albanian Tyson" nuk mërzitet fare për faktin se kundërshtari i tij pas duelit të përbashkët kishte bërë një paraqitje mjaft të mirë përballë ish-kampionit të botës në versionin WBC, Tomasz Adamek.
"Normalisht edhe kundërshtari do të ketë përgatitjet e tij, por unë besoj se do ta mbyll ndeshjen ashtu si e kam planifikuar".
Dhe kur Seferi premton nokaut, atëherë fjalët e tij duhet të merren seriozisht pasi vetëm 5 nga 20 duelet e fituara prej tij janë mbyllur me vendim të gjyqtarëve, që do të thotë se në 75 përqind të rasteve "Albanian Tyson" fiton me nokaut. Përvec kësaj edhe faza përgatitore e zhvilluar në kampin e "Universum Box Promotion" në Austri sëbashku me Luan Krasniqin dhe kampionin e botës në versionin WBO për peshën kruizer, Firat Arslan i bëjnë edhe më të mëdha gjasat e shqiptarit.
"Tani kam arritur një formë shumë të mirë fizike. Përgatitjet që kam zhvilluar kanë shkuar shume në rregull dhe nuk kam pasur asnjë shqetësim. Jam i gatshëm për të shtunën", ka shtuar Seferi.
Përvec Nuri Seferit edhe vëllau i tij më i ri, Seferi do të jetë një duel të rëndësishëm përballë gjermanit me prejardhje afrikane Jonathan Pasi. 29-vjecari Seferi që më parë ka qenë kampion i Zvicrës në kategorinë e rëndë në boksin amator deri më tani ka zhvilluar dy duele si profesionist dhe i ka fituar që të dyja. "Me Seferin kemi zhvilluar përatitje të përbashkëta në javën e parë dhe tani në javën e fundit. Është mjaf mirë i përgatitur fizikisht dhe të shtunën do të kërkojë fitoren e tretë në ringun profesionist", ka thënë Nuri Seferi për të vëllanë.
Për më shumë të reja nga boksi klikoni në www.boxalb.com