TIRANE-Këshilli i Ministrave miraton një sërë projektvendimesh mbi programet e nxitjes së punësimit, të hartuara për t’i dhënë prioritet maksimal punësimit të qytetarëve.

Në një konferencë për shtyp zv.ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri u shpreh se një lajm i mirë është trefishimit që qeveria i bëri këtij fondi me buxhetin e ri, apo edhe nisma për hapjen e zyrave të reja të punës.

“Në bazë të ndryshimeve që u miratuan sot, çdo biznes, person juridik ose fizik ka të drejtë të aplikojë dhe përfitojë nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit. Me ndryshimet e bëra afati kohor i miratimin të shpërndarjes së fondeve shkurtohet në 10 ditë, me qëllim shpejtimin e impaktit në hapjen e vendeve të reja të punës. Nga ana tjetër, ndryshimet sjellin inovacion me futjen e mjeteve elektronike në publikimin dhe aplikimin për programet e nxitjes së punësimit, lehtësojnë procedurat për subjektet private, si dhe përmirësojnë procesin e miratimit të projekteve”-tha Kospiri.

Sipas numrit dy të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, këto ndryshime kanë për qëllim dhënien me prioritet të fondeve për punësimin e kategorive specifike në vështirësi dhe grupeve të veçanta të femrave, punëkërkuesve të papunë të rinj pa profesion, atyre që përfitojnë pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike, të papunëve afatgjatë, personave mbi 45 vjeç që nuk kanë një arsimim më të lartë se arsimi i mesëm ose ekuivalent të tij, personave me aftësi të kufizuar, personave nga komuniteti rom dhe emigrantëve të kthyer me probleme ekonomike. 

(o.d/ BalkanWeb)