sadri abaziKandidati i mazhorancës për Bashkinë e Dibrës Muharem Rama zhvilloi takimet elektorale në njësinë administrative të Sllovës dhe fshatrat Vleshë e Shumbat. Ai shoqërohej nga deputeti socialist Sadri Abazi dhe kordinatori për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri.


Në fjalën e tij para qytetarëve të Sllovës, Rama tha se do të zgjidhet çështja e rrëshqitjeve në fshatin Dipjakë, do të ngrihen kanalet e ujërave vaditëse në Cernjevë e Shumbat ndërsa do të asfaltohen rrugët lidhëse të fshatrave me qytetin. Kandidati Rama premtoi edhe krijimin e një ujësjellësi për ujë të pijshëm ashtu sikurse subvencionimin e fermave bujqësore, frutore dhe blegtorisë.


Rrugën e Dipjakës do ta rehabilitojmë. Ju jeni një vend blegtoral e bujqësor, keni qenë të njohur për frutat tuaja të mrekullueshme ndaj do të krijojmë një qendër për grumbullimin e tyre. Do mund zbusim varfërinë dhe do ti japim një zhvillim ekonomik kësaj treve. Do të bëjmë investime për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, do të realizojmë disa projekte për rikonstruksionin e shkollave e qendrave shëndetësore, premtoi kandidati Muharem Rama.


Pasi ftoi banorët e Dibrës të votojnë kandidatin Muharem Rama në 11 Shtator, deputeti socialist Sadri Abazi ju përgjigj edhe akuzave të opozitës ndaj tij.


E keni parë sa shumë më shan mua Saliu tani?! Ai e di se influenca ime në Dibër është shumë e madhe, ndaj më shan që tju mbushë mendjen dibranëve se Sadriu është burrë i keq dhe mos votoni Muharemin. Po çfarë lidhje ka kjo?! Unë e kam treguar me fakte dhe burrëri se para dibranëve jam burrë i mire, por para Saliut nuk mund të jem. Kudo që kam shkuar Saliun e kam mund, kjo është e gjitha. Do ta mund prap Saliun e ti them O plak, rri atje në shpi, Zenin tat nuk e mbron dot ti. Fol sa të duash për Sadriun, për Edi Ramën, për Muharem Ramën, për Damian Gjiknurin e për Saimir Tahirin. Nuk e mbron dot Zenin. 25 vite e ke poshtëruar shqiptarin. Tani thotë është komunist Sadriu! More, kush është komunist, Saliu apo Sadriu?!, u shpreh deputeti Sadri Abazi.


Kordinatori i Kryesisë së PS për Qarkun Dibër Damian Gjiknuri u shpreh optimist për fitoren e Ramës në zgjedhjet e pjesshme të 11 Shtatorit. Të gjitha sondazhet, të gjitha të dhënat na thonë se kandidatura e doktor Muharemit merr vota majtas e dhjathtas sepse mbi të gjitha është njeriu i duhur. E kanë sulmuar doktorin, javën e parë nxorën akuza me drogë e idotësi të tjera. Tani kanë filluar thonë do të blihet vota. Po a ka ofendim më të madh për popullin?! Kjo tregon se ata po vulosun humbjen dhe duan të ofendojnë të gjithë dibranët e ndershëm?!, u shpreh Gjiknuri.