Në mes të pyllit do të vemi”… Kuptohet, besoj, nuk është fjala për pyllin e Evropës, as për pyllin e politikës, as për atë të ekonomisë, as për atë të medias, por për pyllin e dashurisë, për këngën e vjetër korçare të cilën kemi afro njëqind vjet që e këndojmë nëpër dasma e nëpër zijafete, por veçanërisht gjatë natës së Vitit të Ri...Kjo këngë që shpreh për bukuri mëdyshjen dhe udhëkryqin tonë ka zaptuar tashmë mbarë Shqipërinë, duke nisur që nga jugu e në veri, nga Kosova e deri në diasporë…Nuk gjen dot një shqiptar të mos e ketë kënduar këtë këngë të paktën një herë, por ama nuk ka shqiptar të gjallë a të vdekur që, edhe pse e ka kënduar në korr, me shpirt e me def, paskësaj të ketë mbërritur te pylli i dëshiruar i dashurisë… Sepse afërmendsh kënga sado me zjarr ta këndojmë, nuk na e sjell “pyllin” më pranë, nj’ashtu si premtimet elektorale të krerëve nuk na e bëjnë jetën më të mirë; nj’ashtu si shpresat tona të djerrosura e të mbetura jetim nëpër qorrsokaket e gjirizet e Ballkanit...Ashtu si kanë rrjedhur e po rrjedhin punët e secilit, të shoqërisë e të shtetit tonë amë (që po bëhet burrë plak njëqind vjeçar, por që mjerisht për nga takati, nga mendja e nga veprimet ka mbetur një dawn), ne, si qytetarë, prapëseprapë, deri më sot, pavarësisht nga regjimet, na ka mbetur e patjetërsuar vetëm kjo e drejtë e Njeriut: të dehemi një herë në vit e të këndojmë së bashku: “ O vemi, o s’vemi?...Po ku do të vemi? Ku po vemi? Asnjë nuk e di! Ku po shkojmë kështu?! Kësaj pyetje jo vetëm dy kryetarët e partive që po ndeshen si dy bajlozë nuk i përgjigjen dot, por as ndërkombëtarët, as ambasadorët, madje as vetë dreqi nuk e di!...”I bëjmë thirrje kryeministrit”...Sakaq vjen përgjigja nga krahu tjetër: “I bëjmë thirrje kryetarit të opozitës”...Vetëm këto thirrje të pakuptimta dëgjojmë prej muajsh nga honet dhe nga”fabrikat e ideve” të Bjeshkëve tona të Nëmura! Por as Hitleri dhe as Stalini nuk i bënin njëri-tjetrit, në kulmin e luftës, të tilla thirrje retorike, pasi ata ishin aq të mençur sa ta kuptonin se me një të tillë propagandë do të bëheshin të pabesueshëmn për ushtarët që vriteshin me emrin e tyre në gojë....Jo se këta tanët janë më të trashë, porse ata duan të na tregojnë dhe të na bindin se ata dhe vetëm ata e kanë në dorë drejtimin dhe orientimin tonë se ku do të vemi ne.... Po sikur, qoftëlarg, ata të mos dëgjojnë thirrjet e njëri-tjetrit, si do të vejë halli ynë, ku do të vemi (kupto: mbytemi) ne gjynahqarët ë shkretë? *** Në të vërtetë ne kujtojmë se...edhe vemi, por nuk vemi diku, jo vetëm një herë në vit, por çdo ditë, teksa dëgjojmë broçkullitjes e Berishës dhe sivëllezërve të tij...Ka ndër ne që dehen edhe pa pirë e ngopen edhe me gjysmën e gjelit të detit që po u jep pensionistëve si dhuratë qeveria... Për shumëkënd edhe më tepër se gjeli i Vitit të Ri shijojnë sharjet e premtimet e berishistëve që të humbasim mendjen dhe të na erren sytë, duke krijuar iluzionin optik sikur vërtet ne jemi nisur e po shkojmë të sigurt e krenarë në zemër të Evropës...Ndaj votojmë sërish për ta...Ndaj “këndojmë” dhe cicërojmë politikisht edhe pse, vemi, ose nuk vemi “në mes të pyllit”, por kjo nuk varet nga ne. “Këtu e tatëpjetë si ka qenë, do të jetë”!...Kjo do të thotë se ne, gjithsesi do të mbetemi njëlloj si në kohën e Enverit edhe në kohën e Saliut; se ne do të brohorasim njëlloj si në kongresin e PPSH-së, edhe në kongreset e PD-PS-së; se ne kemi qenë dhe jemi njëlloj të ndarë në dy kampe armiqësore, në NE dhe në ATA!...Në NE që pengojnë ATA dhe anasjelltas, e që, bash për këtë arsye, të gjithë kemi mbetur aty ke kemi pas qenë...! Votojmë për ata, votojmë për këta, votojmë për partinë, votojmë “familjarisht”, kolektivisht, fshatçe e qorrazi për udhëheqësin e lavdishëm, për më karizmatikun, pavarësisht se të nesërmen a të pasnesërmen, kur të na dalë dehja e propagandës, secili prej nesh një gjë do të kuptojë: që do të përfundojë, pa asnjë përjashtim, në mos në pyllin e urrejtjes së ndërsjellë, në pyllin e shkretuar, si pyjet e Lurës, të kotanisë, të papunësisë, të ngujimit e vetëshkatërrimit...Por ama përsëri jo vetëm natën e Vitit të Ri, ne do të këndojmë politikisht: Vemi o s’ vemi në pyllin e privatizuar të partisë, ku koha dhe shanset tona ikin e humbasin, njëlloj si kriminelët, në drejtim të paditur!… *** “Vemi, o s’vemi”?...Kjo këngë e pashpresë që e këndojmë edhe pse nuk na jep dot asnjë përgjigje, tashmë është një semafor i shuar, i prishur, është pra ajo dilema shekullore që na ka çuar e, të gjitha gjasat i ka të na çojë edhe për ca kohë në kurrkund, në humbellën tonë të historisë së shkruar e ende të pashkruar...! Por për këtë sigurisht nuk ka faj këngëtarja çiljeta që po sulmohet këto ditë meqë u zgjodh e 55-ta në krye të PD-së dhe mori me meritokraci e me votim të rregullt (sipas modelit shqiptar) më shumë vota se Shaban Memia dhe Besnik Mustafaj! Nuk ka faj as Jozefina e Kuvendit të deputetëve pa kuvend! As Bregu e integrimit pa integrim. As Rama që nuk po rresht protestat për hapjen e kutive...As dy mijë e ca pyetjet që na erdhën pako-postare nga Brukseli e që u pritën me ngazëllim si një tjetër “fitore” e jona historike... Nuk ka faj as zoti Lohan që na uron me gjysmën bosh të gotës, as ambasadori amerikan Withers që, për të na bërë esëll na kujton sa të varfër jemi, as analistët e spikatur që zhbirilojnë çdo natë thëniet e këtij apo atij udhëheqësi, as zëdhënëset koketa të dy partive kryesore që dalin çdo ditë për të recituar para ekraneve motivin tonë të vjetër: Vemi o s’vemi? Madje, hollë-hollë nuk ka faj as vetë Saliu, ky udhëheqës kordhëtar dhe i pamposhtur që vishet herë me kostum kombëtar e herë me stof ndërkombëtar e vete, njëlloj si Obama, për të ligjëruar në Kopenhagen kundër ngrohjes globale (kur ka arritur kulmin mbërdhitja globale kombëtare!); nuk janë fajtorë as Sali-erët e partive të tjera, sepse fajin në të vërtetë e ka...e ka isoja jonë tradicionale! E ka polifonia jonë partiake! Ndaj prapëseprapë ne qytetarët do të këndojmë këtë këngë edhe natën e Vitit të Ri të 2010-ës që po vjen, pavarësisht krizës globale, ngrohjes globale, harresës globale, marrëzisë globale, sherreve e shpifsharjeve globale, Konferencave globale, Kongreseve globale, zgjedhjeve globale (me lista kryetarësh), mungesës globale të etikës (ca me brekë e ca pa brekë!), humbjes globale të peshës dhe të vlerës së Fjalës, rritjes globale të çmimeve, globalizimit të pashmangshëm mediatik, talljes globale të politikanëve dhe gjykatave, mungesës globale të energjisë elektrike për shkak të rritjes së faturës, madje pavarësisht edhe nga vendimi global i BE-së për të lënë vetëm shqiptarët në regjimin poshtërues e diskriminues të vizave, domethënë jashtë derës, pas murit, në anën tjetër të hendekut! *** Vemi, o s’vemi? Na thanë se do të vemi në Lindje e do të hamë me lugë floriri. Kaluan gati 50 vjet dhe...dhe ne u ngopëm dhe u dehëm me lugën e gotën bosh...Pastaj na thanë: rrëzoni diktaturën, shembni edhe ju murin, se do të hapen katkekat dyert e Evropës edhe për ju, shqiptarët e vuajtur...Por ja tek kaluan 20 vjet dhe ne përsëri jemi të vetmuar, të harruar, brenda tenxheres me presion, duke mbetur prapëseprapë kohëhumburit më të lavdishëm e më të dhjerë-krenarë të Ballkanit! Na thanë në fund të ‘90-ës: iku koha e pleqve byroistë të pazëvendësueshëm e të currufjepsur të PP-së që na çuan në tufëzim, në katastrofë; tash do të vijnë udheheqës të rinj që do të zgjidhen e përzgjidhen me votim të fshehtë dhe demokratik, me rrotacion, si gjetkë e gjetkë, po ja ku jemi përsëri te kënga e lashtë: vemi o s’vemi dhe...Dhe as vemi e as nuk shkojmë dot kund, por po mbetemi në vendnumëro, brenda kufirit, matanë gardhit, derisa kemi po të njëjtët që na thonë se do të jenë në pushtet deri në vitin 2024 e paskësaj do të lënë si trashëgimtarë edhe bijtë e bijat! E pra, jemi të vetmit, jemi përsëri më të veçantët, jemi më fodullët se kemi rritjen më të lartë ekonomike; kemi edhe standarde; kemi edhe të njëjtët udhëheqës që zgjidhen me unanimitet, me 99% të votave, njëlloj si në Kongreset e PP-PS-PD-së, ku tradicionalisht votohet në mënyrë aq demokratike, sa të vjen të qash nga mallëngjimi; kemi madje edhe Drejtësi të pavarur (se quhet sukses i madh i demokracisë kur një qytetar guxon dhe hedh në gjyq kryeministrin pa i hyrë gjemb në këmbë, apo jo?); kemi pra të sigurt vendin e parë në arritje e në suksese, por ama duke numëruar përherë nga fundi! Vemi o s’vemi, po ku dreqin po vemi?! Ecim nëpër kuturu, si çetat dhe bashibozukët në kohën e lavdishme të Haxhi Qamilit...Luftojmë, po ende nuk e dimë kush është armiku! Qëllojmë, po në tym, me të dalëkutëdalë! Protestojmë, po nuk e dimë ç’do të fitojmë! Votojmë, por pas votimit del i fituar përherë një Sali me çiljetat e tij këngëtare!...Ankohemi, por veshë që të na dëgjojnë nuk ka... Ka vetëm mikrofona, kamera dhe ekrane të panumërta që nxjerrin përditë fytyrën dhe zërin e ngjirur të Berishës të na thotë e të na bindë sa të lumtur jemi nën udhëheqjen e tij, “në qeverinë time”! Ky është përnjimend sukses! Prandaj ne përsëri do të urojmë e do të këndojmë, edhe këtë Vit të Ri: Gëzuar! Gëzuar! Pavarësisht në vemi o s’vemi në Evropë! Pavarësisht se askush nuk e di se ç’do të bëjë vaki nesër, fill pas Vitit të Ri!